Tashmë jetoj në Shqipëri prej tre vitesh dhe kam shumë histori për të treguar. Më pëlqen të mbledh së bashku këto shkrime për fenomene që ndodhin ‘vetëm në Shqipëri’ dhe e di që shumë prej jush i pëlqejnë ato.
Si zakonisht, dua të theksoj se këto pika janë shkruar me shaka, nuk kanë asnjë tendencë negative dhe natyrisht nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por mua më bëjnë përshtypje. I kam shkruar me shumë pozitivitet, ndaj uroj të merren në këtë mënyrë.
Vetëm në Shqipëri:
Njerëzit të kërcënojnë se do të të hanë fëmijën
Nëse jeni prind në Shqipëri, me siguri keni pasur pjestarë të familjes, njerëz në dyqane, kalimtarë të rastit që ju thonë ‘O zot sa fëmijë i mirë! Ta hash!’ ndërsa drejtojnë duart drejt fëmijës.
Kjo nuk do të thotë se ata vërtetë do të hanë fëmijën – mos u trembni- kjo është vetëm një mënyrë për të thënë sa të bukur dhe të mrekullueshëm janë fëmijët.
Nuk ka nevojë të alarmoheni, është një gjë e mirë dhe një kompliment për ju dhe fëmijën tuaj.
Njerëzit ju japin me zot çokollata kur vizitoni dikë
99% e familjeve shqiptare kanë dy gjëra: pantofla tek dera për mysafirët dhe një tas me çokollata. Me të hyrë, pritet të hiqni këpucët dhe t’i lini ato brenda ose jashtë, në varësi të shtëpisë dhe motit. Më pas vazhdoni në dhomën e ndenjes ku ju jepen çokollatat e lartpërmendura, ju pëlqen apo jo. Refuzimi i çokollatave nuk është një opsion dhe mikpritësi do të insistojë që të merrni një, dy, apo edhe tre.
Kur nxora palltot e dimrit për tu përgatitur për dimrin, gjeta çokollata në xhepat e secilës prej tyre, nga vizitat e vitit të kaluar. Mikpritja shqiptare është më e mira, mbushni gojën dhe xhepat me çokollata dhe kënaquni!
Do të jetoni vetëm me bakllava nga 20 dhjetori deri në 4 janar
Nëse shtrydhni shqiptarin mesatar në periudhën nga Krishlindjen deri në Vitin e Ri, me shumë gjasa prej tyre do të dalë shërbet. Kjo për shkak të ngrënies të shumë copave bakllavaje me shërbet.
Bakllavaja është ëmbëlsira tradicionale e festave të fundvitit në Shqipëri.
Gjatë festave, është krejtësisht e pranueshme të hani disa copa bakllava në ditë, përfshirë për mëngjes, me kafe, pas kafes dhe për ëmbëlsirë.
Do të festosh festat e feve të ndryshme gjatë vitit
I njëjti person, në të njëjtin vit do të festojë dhe Vitin e Ri, edhe Nevruzin (Viti i Ri Persian), Pashkët katolike dhe ato ortodokse, Bajramin e Madh dhe Kurban Bajramin, por dhe Krishtlindjet.
Në varësi të fesë që i përkisni, mund të ketë disa festa të tjera, apo të lini disa pa festuar. Por shumë familje i festojnë të gjitha.
Shumica e shqiptarëve nuk janë fetarë praktikantë, por mund të identifikohen nga ana kulturore ose përmes trungut të tyre familjar me një fe të caktuar.
Në thelb, shumë familje gjejnë një arsye për tu mbledhur së bashku për drekë. Meqë po flasim për ushqim, tavolina e festave zakonisht përfshin gjel, mishra të tjerë, lloje të ndryshme djathrash, sallata të ndryshme dhe shumë byrek. Ju bëftë mirë!
Duhet të specifikosh se e doni kapuçinon me kafe
Kam jetuar këtu për tre vjet dhe ende bëj gabim që nuk them “një kapuçino me kafe” në vend të thjesht “një kapuçino”. Nëse lini mënjanë pjesën “me kafe”, me siguri do t’ju shërbehet një filxhan kafe e ëmbël, e rreme, e njohur ndryshe si ‘kapucino me bustine’. Një fyerje për kafenë e vërtetë, nuk përmban kafeinë, është tmerrësisht e ëmbël dhe askush nuk e di se ç’ka brenda.
Nëse dikush ju pështyn, është një kompliment
Në Britani, nëse dikush ju pështyn, ka shumë të ngjarë që situata të përfundojë një konfrontim fizik. Ndoshta është një nga gjërat më të parespektueshme që mund t’i bëni dikujt. Por, tani jemi në Shqipëri.
Kur Dea ishte foshnjë, e çova në një dyqan të vogël dhe burri prapa banakut vazhdoi të pështyjë disa herë në drejtim të saj. Unë natyrisht u tmerrova dhe dola me vrap nga dyqani. Shpejt kuptova se pështyma ishte diçka që bënin njerëzit kur diçka ishte e mrekullueshme, e bukur ose shumë e veçantë. Akti i pështymës është për të larguar syrin e keq nga fëmija.
Është e pranueshme të rruhet koka e foshnjeve
Ok, kur e kam përmendur këtë në mediat sociale, mendimet e audiencës kanë qenë të ndarë. Disa thonë që po, rruajtja e kokës së foshnjave kur mbush një vjeç është një ide e mirë sepse flokët rriten më të trashë dhe disa thonë se jo, ky është një zakon barbar i modës së vjetër që nuk ndodh më në të vërtetë. Kur Dea ishte një vjeç, unë isha nën presion për të qethur kokën e saj.
Qëndrova stoike dhe me mirësjellje i thoja gjithkujt që më pyesnin për të qethurën, se nëse do të tentonin të rrunin kokën e fëmijë tim, të njëjtën gjë do të bëja dhe unë.
Së shpejti iu mbyll goja të gjithëve. Ndërsa më pëlqejnë 90% e traditave dhe bëj më të mirën për të respektuar kulturën, tek vajza ime vendos unë.
Kur udhëtoni jashtë Tiranë, do ju duhet të prisni bagëtitë që të lirojnë rrugën
Ok, nuk ka gjasa të hasni një tufë dhish në mes të autostradës për në Durrës, por nëse shkoni më larg, kafshët e fermave patjetër do të kalojnë rrugën tuaj. Kafshët kanë një rol integral në transportin në Shqipëri, siç e kam përmendur më parë me takimin tim me pula të gjalla në një autobus në Tiranë.
Por mund të them se në rreth 90% të udhëtimeve të mia, qofshin ato në Sarandë, Himarë, Berat, Shkodër, Lezhe, Elbasan, Pogradec ose Korçë, kam hasur tufa bagëtish në rrugë dhe kemi pritur që ato të lëvizin nga rruga. Ato marrin kohën e tyre, duke kullotur në anë të rrugës, ose madje vetëm duke e shikuar me ngulm ndaj jush derisa më në fund të mërziten dhe të largohen.
Nëse jeni i huaj, të gjithë ata që do të takoni, do të kenë një kushëri që jeton në vendin tuaj të origjinës
Ndodh që të më pyesin se nga jam disa herë në javë. Tani kur flas shqip, njerëzit mendojnë se jam nga Tropoja, Kukësi, apo edhe Kosova, por kur i them se jam nga Britania e Madhe ata entuziazmohen. “Nga ku?” pyesin ata, dhe kur ia shpjegoj, ata më tregojnë për kushëririn e tyre ose tezen ose kushëririn e tezes që jeton atje, dhe nganjëherë më pyesin nëse i njoh.
Unë mund të them fjalë për fjalë, “jam nga një shpellë lart një kodre në mes të një kënete në Devon” dhe ata do të thonë se njohin një shqiptar që jeton aty pranë.
Të gjithë të famshmit kanë origjinë shqiptare
Nënë Tereza? Shqiptare. Rita Ora? Shqiptare. Dua Lipa? Shqiptare. Aleksandri i Madh? Shqiptar. Avjari? Shqiptar.
Buka me feta? Shqiptare. Pjesa më e madhe e rajonit të Ballkanit? Shqiptare.
Shqiptarët janë tepër krenarë që janë shqiptarë dhe janë super patriotë, pavarësisht se dëshirojnë gjithashtu të emigrojnë në Angli ose Amerikë.
Çmenden për statujat, sidomos atë të Skënderbeut
Asnjëherë, kurrë, kurrë, kurrë mos bëni shaka dhe mos u tallni me Skënderbeun apo të krijoni një statujë që mund të interpretohet në ndonjë mënyrë si mosrespektuese.
Skënderbeu është një hero kombëtar dhe nuk duhet, në asnjë rrethanë, të përfaqësohet në formë statuje si çdo gjë tjetër përveç një personazh gjigand, muskuloz, super-mashkullor, me shpata e kuaj.
Do të gjeni para në rrobat e fëmijës tuaj
E di që shumë prej këtyre pikave kanë të bëjnë me fëmijët, por kam mësuar një anë krejt të re të shqiptarizmit kur u bëra nënë. Pra, kur keni një foshnjë ose një fëmijë të vogël dhe shkoni të vizitoni të afërmit dhe miqtë, shpesh do t’i shihni ata duke futur kartmonedha në dorën ose veshjen e fëmijës suaj. Ndonjëherë edhe të huaj ose miq të njerëzve që njihni do ta bëjnë këtë.
Është një traditë e mrekullueshme dhe është një gjest shumë i mirë. Kam ruajtur të gjitha dhuratat e Dea-s dhe i kam futur në një llogari kursimi të cilën ajo do të mund ta përdorë kur të rritet.
Publikuar më parë tek The Balkanista.
Përkthyer nga Exit News.