Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të hënën nga detyra prokurorin e Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Pamela Qirkon dhe Valbona Sanxhaktarin.
Komisioni gjeri probleme me pasurinë e prokurorit Malaj. Sipas KPK Malaj nuk kishte deklaruar saktë të ardhurat, kishte pasaktësi dhe mospërputhje të ardhurash.
Për një apartament me sipërfaqe 120 m2 të blerë në vitin 2005, KPK konstatoi pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimet e çmimit të paguar, si dhe mungesë burimesh të ligjshme.
Malaj ka deklaruar dhe një apartament 73 m2 në vitin 2015 në vlerën 6.3 milionë lekë dhe marrjen e një kredie në shumën 40 mijë euro.
KPK konstatoi pamundësi financiare në blerjen e apartamentit dhe shlyerjen e kredisë. Komisioni gjeti dhe balanca negative në deklarimet e prokurorit Malaj.
Pelivan Malaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat. Në periudhën 1998-1999 ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në maj 2003, Malaj është emëruar prokuror i Prokurorisë së Apelit Vlorë, detyrë të cilën e ka ushtruar për gati dy dekada. Gjithashtu ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Prokurorëve.