Policia e Tiranës i ka kërkuar Prokurorisë të rihapë hetimin mbi vrasjet e 21 janarit të 2011. Sipas Balkan Ëeb, kërkesat janë si më poshtë:
- Të bëhet rieksperimentimi për drejtimin e qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
- Të bëhet riekspertimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar në trupin e Aleks Nikës
- Të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gradës në shërbim në datën 21 janar.
- Të ripyeten e personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave, si dhe persona dëshmitarë që kanë qenë pranë viktimave, nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë të re me interes për hetimin.
- Të bëhet rikëqyrja e pamjeve filmike të tubimit të datës 21.01.2011, duke u fokusuar konkretisht në vrasjen e Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
- Të kërkohet me anë të shkresës zyrtare IPSH Tiranë, nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike në vendet e BE-së ose jashtë saj në gjendje të ekzaminojë predhën e nxjerrë nga trupi i shtetasit Aleks Nika.
Protestat e 21 janarit, gjatë së cilës 4 protestues u vranë nga Garda e Republikës pranë zyrës së Kryeministrit, erdhën pas bërjes publike të një videoje të fshehtë që ngriti akuza për korrupsion ndaj ish-Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Presidentit aktual Ilir Meta.
Kryeministri Rama premtoi në 2013 drejtësi për viktimat por pas zgjedhjeve të atij viti u bashkua në koalicion me Metën dhe formuan qeverinë. Më pas, në vitin 2017, Ilir Meta u bë President.
Për 4 të vrarët në bulevard janë dënuar me një vit burg ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe me tre vjet burg ish-gardistin Agim Llupo, me akuzën fajtor për vrasjen nga pakujdesia.
Qeveria Rama në vitin 2017 vendosi të japë kompensim për familjet e dy prej të vrarëve.
Gjatë këtyre viteve dosja nuk është rihapur ndërsa vazhdimisht ka patur akuza mes palëve politike për përgjegjësinë e vrasjes së protestuesve.