Shfaqja populiste e kryebashkiakut Veliaj duke shkelur ligjin

Shfaqja populiste e kryebashkiakut Veliaj duke shkelur ligjin

Në rrjetet sociale dje, u denoncua rasti i një zonje e cila humbi ndjenjat pasi katër inspektorë të Policisë Bashkiake i sekuestruan karrocerinë e kokoshkave. Inspektorët e njoftuan zonjën se ajo duhet të paguajë 5 mijë lekë për ta rimarrë karrocën dhe se nuk mund të shesë më nëpër rrugët e Tiranës pasi ka zënë hapësirat publike të qytetit.

Reagimi i qytetarëve që e quanin ngjarjen si çnjerëzore e tregues të  luftës së shtetit ndaj të varfërve ishte i menjëhershëm; ndoshta dhe për faktin se zonja rrëfeu se shitja e kokoshkave ishte burimi i vetëm i të ardhurave për familjen e saj e se këto ditë paratë e fituara nga kokoshkat po i ruante për të blerë ilaçet.

Sot, Bashkia e Tiranës njoftoi pezullimin e katër inspektorëve. Në njoftim zyrtar të Bashkisë shkruhej:

“Pas publikimit në media të një videoje, ku disa punonjës të Policisë Bashkiake shfaqen duke I sekuestruar karrocën një shitëseje ambulante, Kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës ka pezulluar menjëherë nga detyra 4 inspektorët që ishin në detyrë, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes në fjalë.”

Nuk dihet ende nëse inspektorët janë pezualluar sepse nuk kanë respektuar ligjin, apo për shkak të bujës në rrjetet sociale.

Nisma e Kryebashkiakut Veliaj për të liruar hapësirat publike nga shitësit ambulantë, nisur që prej gushtit 2015, ka sjellë gjoba e sekuestrime të mallit të shitësve ambulantë në më shumë se 3500 raste, por asnjë punonjës bashkiak nuk është pezulluar. Në 3500 raste inspektorët e bashkisë kanë qenë punonjës të mirë, ata thjeshtë kanë zbatuar vendimin e Zotit Veliaj.

Në rastin e 3501, inspektorët pezullohen pa asnjë shpjegim, me shumë gjasa duke shkelur ligjin.

Duket se nisma e kryebashkiakut për të “kuruar” imazhin e qytetit, ndalet sa herë ka një denoncim publik.  Kryebashkiaku pezullon punonjësit pse zbatuan urdhërin e tij kur qytetarët thonë se këto veprime janë çnjerëzore, pa dashur të kuptojë se në fakt është nisma e tij ajo që në më të shumtën e rasteve është çnjerëzore.

Si gjithmonë, bëhen “kurban” punonjësit e jo ai që ka marrë vendimin politik. Ky i fundit del gjithnjë si babaxhani që u prek nga ndodhia dhe dha ndëshkimin për autorët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>