Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë të martën, çështjen e parë pas rreth 3 viteve.
Në një njoftim në faqen zyrtare, Gjykata njofton se sot, me 26 janar do të shqyrtohet kërkesa e Gjykatës së Tiranës me objekt:
Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017.”
Pas kësaj, Gjykata do të mblidhet në muajin shkurt për të shqyrtuar dy çështje të tjera.
Më 4 shkurt, anëtarët e Kushtetueses do të shqyrtojnë kërkesën e Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” e cila kërkon shfuqizimin e tre ligjeve dhe dy VKM-ve që kanë lidhje me trajtimin dhe kompensimin e pronave.
Çështja e tretë që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese është kërkesa e një shtetasi për konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor.
Gjykata Kushtetuese ka kuorumin e duhur për të shqyrtuar çështje dhe marrë vendime. Ajo u bë funksionale në fund të dhjetorit të 2020.
Kushtetuesja përbëhet nga 7 anëtarë. Tre prej tyre janë zgjedhur nga Presidenti (Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja) dhe Kuvendi (Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Altin Binaj). Ndërkohë kryetarja në detyrë është Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati.
Disa nga çështjet që priten të shqyrtohen nga Gjykata janë ligji për Teatrin Kombëtar, zgjedhjet e 30 qershorit, ndryshimet e Kodit Zgjedhor si dhe mosdekretimi i Sandër Lleshajt dhe Gent Cakajt në postet e ministrave.