Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka propozuar që KQZ të ndalojë përdorimin e celularëve në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 prillit.
Kim tha në një intervistë për News24 se ndalimi i celularëve do ta bëjë më të vështirë shit-blerjen e votës.
“Mendoj do ishte e dobishme nëse KQZ do të siguronte që celularët të mos lejohen në qendrat e votimit.”, deklaroi Kim.
Sipas ambasadores, nëse në qendrat e votimit nuk do të lejohen celularët, njerëzit nuk do të kenë mundësi të fotografojnë votën e tyre dhe ta tregojnë atë jashtë për të marrë para.
Kim përmendi gjithashtu identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe video-monitorimin e qendrave të votimit si masa që po përgatiten në zgjedhjet e ardhshme.