Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka nisur një fushatë kundër keqqeverisjes dhe modelit arrogant me të cilin polikanët shqiptarë kanë qeverisur.
Me sloganin #UnëRefuzoj, përfaqësues të lëvizjes dhe qytetarë kanë dhënë mesazhin e tyre duke treguar se nuk tolerojnë propagandën, shfrytëzimin e pasurive kombëtare dhe gënjeshtrat që i serviren çdo ditë.
Në videomesazhin e parë, avokati Adriatik Lapaj u shpreh se refuzon mungesën e garës dhe meritokracisë. Ai theksoi se asnjë qeveri që nuk e siguron meritën përmes garës së ndershme, nuk duhet të qeverisë.
Florian Haçkaj, një prej themeluesve të DSHL-së, u shpreh se refuzon një sistem hallkat e së cilit nuk funksionojnë, çdo vendim merret nga një person dhe kryeministrat trajtohen si ‘shpëtimtarë dhe mëshirues’.
Pedagogu Ervin Goci theksoi se politikanët, pasi kanë shfrytëzuar pasuritë e vendit me koncesione, tani po bëjnë politikë mbi ‘trupat tanë’.
“Unë e refuzoj këtë gjë dhe si qytetar revoltohem,” u shpreh Goci.
Iva Grillo tha se refuzon gënjeshtrën dhe propagandën që serviret çdo ditë të vërteta, mendjemadhësinë dhe talljen me qytetarin.
Ndërsa regjisori Robert Budina akuzoi qeverinë Rama se po shemb simbolet e trashëgimisë së vendit për të ndërtuar kulla e pastrimit të parave.
Diaspora për Shqipërinë i bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen fushatës dhe të ngrenë zërin për mirëqeverisjen e tyre.