Njerëzit që e kanë kaluar COVID-19 kanë nivele të larta të antitrupave për të paktën gjashtë muaj. Kjo mund t’i mbrojë ata nga ri-infektimi me koronavirus, tregoi të mërkurën rezultati i një studimi, kryer në Mbretërinë e Bashkuar.
“Shumica dërrmuese e njerëzve kanë antitrupa për të paktën gjashtë muaj pas infektimit me koronavirusin”, tha Naomi Allen, një profesoreshë dhe shkencëtare në Biobank në Britani, ku u krye studimi.
Shkencëtarët thanë se studimi tregon se rastet e shpejta të ri-infektimit do të jenë të rralla. Studimi mati nivelet e infeksionit të mëparshëm të Covid-19 në të gjithë Britaninë, si dhe sa kohë antitrupat zgjasin tek të infektuarit.
Mes pjesëmarrësve që kishin rezultuar pozitivë me variantin e mëparshëm të Covid-19, 99% kishin antitrupa ndaj koronavirusit për tre muaj, treguan rezultatet.
“Megjithëse nuk mund të jemi të sigurt se si lidhet kjo me imunitetin, rezultatet sugjerojnë që njerëzit mund të mbrohen nga një infektim tjetër për të paktën gjashtë muaj “, tha Allen.
Ajo tha se gjetjet ishin gjithashtu në përputhje me rezultatet e studimeve të tjera në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Islandë, të cilat zbuluan se antitrupat ndaj koronavirusit kishin tendencë të vazhdonin për disa muaj.
Studimi i Biobank-ut gjithashtu zbuloi se përqindja e popullsisë së Britanisë me antitrupa Covid-19 , u rrit nga 6.6% në fillim të periudhës së studimit në maj 2020 në 8.8% deri në dhjetor 2020.