
Mediat polake po protestojnë për një taksë të propozuar mbi reklamat, që kritikët thonë se autoritetet do ta përdorin për të minuar lirinë e shtypit.
Zyrtarët qeveritarë pretendojnë se taksa do të rrisë shpenzimet e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë.
Mediat e pavarura në Poloni pezulluan transmetimin e lajmeve të mërkurën për të protestuar ndaj një takse të planifikuar mbi të ardhurat e reklamave. Anëtarët e medias thanë se taksa është një përpjekje për të minuar liritë e shtypit.
Rreth 45 degë u bashkuan me protestën, duke përfshirë gazetën kryesore të vendit, Gazeta Ëyborcza.
Ndërprerja është vendosur të zgjasë për 24 orë. Një numër i stacioneve private të radiove kanë pezulluar transmetimet po ashtu. Gazetat kryesore ditore u botuan me një shënim proteste në faqet e tyre të para.
Çfarë është taksa e re?
Taksa e re do të vendosë një taksë mbi të ardhurat nga reklamat e transmetuesve televizivë dhe radio, media të shtypura dhe mediat online.
Kinematë dhe operatorët e shfaqjeve të reklamave gjithashtu do të preken nga kjo taksë. Media shtetërore përjashtohet nga taksa. Ky vendim i qeverisë polake pritet të hyjë në fuqi më vonë gjatë 2021.
Cili është pozicioni i qeverisë?
Qeveria polake, e udhëhequr nga Partia e djathtë e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS), tha se taksa është e nevojshme për të rritur të ardhurat e Fondit Kombëtar të Shëndetit (NFZ) gjatë pandemisë së koronavirusit – rreth 50% e taksave të ngritura do të shkojnë drejt kësaj .
Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki shtoi se “tarifa e solidaritetit” do të ndihmojë gjithashtu financimin e sektorit kulturor.
Zëdhënësi i qeverisë Piotr Mueller tha të martën se taksa e ngjashme ekziston në shumë vende evropiane.
Çfarë mendojnë mediat e pavarura për taksën?
Taksa e re do të dobësojë dhe ndoshta do të detyrojë mbylljen e disa mediave që veprojnë në Poloni, duke kufizuar zgjedhjen për audiencat e tyre.
Rreth 40 transmetues shkruajtën këto ankesa në një letër të hapur për autoritetet polake dhe liderët e partive politike.
Taksa gjithashtu mund të ndikojë në raportimin cilësor dhe të dëmtojë më tej mediat private, thanë përfaqësuesit e mediave në letër.
Kanali kryesor privat i Polonisë TVN, në pronësi të grupit amerikan Discovery, i tha agjencisë së lajmeve AFP se propozimi i qeverisë kishte “qëllim të kufizonte lirinë e tyre të shprehjes”.
Radio Zet u tha dëgjuesve të saj se taksa do të thoshte “likuidim për disa biznese mediatike”.
“Nuk ka asnjë vend të lirë pa media të pavarur. Nuk ka liri pa liri zgjedhjeje,” tha radio stacioni.
A po godet Polonia lirinë e shtypit?
Qeveria e Polonisë tashmë ka mbikëqyrur një numër ndryshimesh që kanë kufizuar mediat e pavarura.
Ajo zëvendësoi gazetarët që punonin në radio dhe stacione televizive publike. Qeveria gjithashtu u përpoq të godiste disa media të pavarura, të tilla si Gazeta Wyborcza, Polityka dhe Newsweek Polska duke kufizuar reklamat publike.