Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndryshuar masat kundër COVID-19 të enjten, duke kërkuar test negativ PCR për të hyrë në territorin e Kosovës, për çdo person që vjen nga vendet me risk të lartë.
Në njoftim thuhet se personat që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës së ECDC duhet të jenë të pajisur me testin.
Në këtë listë bëjnë pjesë, Bullgaria, Çekia, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Luksemburgu dhe Sllovakia.
Përjashtohen nga kjo masë:
- Nëse hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore. Por në hyrje personi duhet të nënshkruajnë deklaratën se do largohet nga Kosova brenda 3 orësh.
- Qytetarët e huaj që punojnë si transportues profesionistë.
- Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare.
- Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.
Kosova ka lehtësuar disa masa, si lejimi i tubimeve me 80 persona ose grumbullimi deri në 50 persona në hapësira të mbyllura.
Disa nga masat e tjera të vendosura janë:
- Lejohen organizimet e festave me leje të veçantë në Ministrinë e Shëndetësisë, por duke respektuar Manualin për mbrojtje nga COVID-19.
- Mësimi do të kryhet sipas këtij manuali.
- Konviktet dhe mensat do të qëndrojnë të hapura duke respektuar masat.
- Ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë shkollore si ekskursion.
- Ndalohet grumbullimi i më shumë se 50 personave në hapësira të mbyllur.
- Në sheshe publike lejohet grumbullimi deri në 80 persona.
- Qeveria njoftoi lejohen tubimet me deri në 80 persona.
- Ndalohet organizimi i dasmave.