Gjatë ditës së sotme pati disa aktivitete me fëmijë, por jo për fëmijët. Përveç se çdo ditë të vitit politikanët tanë luajnë me të ardhmen e fëmijëve, sot luajtën edhe me shëndetin dhe formimin e tyre.
Në rastin e parë, gjatë aktivitetit në Spitalin Pediatrik në Tiranë, gjatë kohës së shfaqjes nuk u lejua hyrja e rasteve emergjente në urgjencë.
Ndërsa, në rastin e dytë, gjatë përurimit të parkut të lodrave të shumëpërfolur, ku i kthejmë fëmijët tanë shumë vite mbrapa, madje edhe më mbrapa se koha e prindërve tanë, kur u paraqesim si të drejtë dhe të bukur një instalacion të përbërë kryesisht nga materiale artificiale dhe ende të pasqaruar nga ana ligjore.
Përdorimi i fëmijëve nga politika për imazh është tmerrësisht efikas, pasi apelon pjesën tonë më të ndjeshme, më emocionale dhe njëkohësisht, më pak racionale.
Nuk po vë në pikëpyetje legjitimitetin e interesit privat. Politika tashmë është bërë njësh me tregun e lirë, ku ka konkurrencë nëpërmjet reklamave. Problemi qëndron kur interesi privat shitet si interes publik. Si edhe, kur përdoren teknika persuazive që orientohen te emocionet, drama dhe ekzagjerimi, duke përfshirë pikërisht ata që ende nuk kanë personalitet vetjak dhe as kapacitet për të qenë racionalë: fëmijët.
Nuk është se minorenët janë të paaftë nga ana intelektuale, por e perceptojnë botën kryesisht duke u nisur nga horizonti i të rriturve. Ekziston një problem thellësisht etik – mungesë respekti ndaj të drejtave më themelore, kur përdoret për qëllime “politike” një sektor i popullatës që, me ligj, nuk është ende i autorizuar të marrë pjesë në procese zgjedhëse. Nuk mund të përdoren të mitur, mbi të gjitha kur mesazhi nuk i drejtohet vetë popullatës së fëmijëve, por aktorëve politikë.
Qeverisja rilindase nuk u ka vjedhur shqiptarëve vetëm shpresën dhe besimin se diçka mund të ndryshojë, por, sot, u vodhi edhe fëmijëve ditën.