Një ish-ministër i qeverisë franceze është dënuar me burg pasi një gjykatë e dënoi atë për përdhunimin dhe abuzimin seksual të një punonjëseje në bashkinë e qytetit ku ai është kryebashkiak.
Dy ish-punonjëse kishin akuzuar Georges Tron, ish-sekretar shteti për Shërbimet Publike, për dhunë seksuale në vitin 2007 dhe 2010.
Tron u lirua nga akuzat në 2018 pasi një gjykatë vendosi se nuk kishte prova që gratë ishin detyruar të kryenin marrëdhënie, por në gjyqin e apelit këtë javë juria mbështeti akuzat nga një prej paditëseve.
Gjykata vendosi që “serioziteti i akuzave”, “mohimet e vazhdueshme” të kryebashkiakut dhe “presioni i ushtruar mbi dëshmitarët dhe viktimat” justifikojnë një dënim me burg.
“Është një fitore e shkëlqyer për të gjitha gratë që mund të kenë probleme në vendin e tyre të punës”, tha, avokati i një prej grave, pas vendimit, raporton The Guardian.
Tron këmbënguli vazhdimisht se ishte i pafajshëm. Ai humbi vendin e tij në kabinetin e presidentit Nicolas Sarkozy në 2011 kur dolën për herë të parë akuzat për përdhunim, por u rizgjodh si kryetar i Bashkisë së Dravail, në jug të Parisit.
Të mërkurën, juria vendosi një dënim me pesë vjet burg, dy vjet nga të cilët u pezulluan.