Kryetari i PS-së Edi Rama ka ngritur një grup pune për regjistrimin e plotë të antarësisë së PS-së.
Shkaku për këtë vendim duket se ka të bëjë me largimet nga PS drejt LSI-së, gjatë këtyre dy viteve qeverisje PS-LSI. Burime nga PS u shprehën se ky hap po ndërmerret pasi është konstatuar në shumë raste, se drejtues të struktuave të PS-së janë punësuar në administratë nga LSI. Kjo dukuri është vënë re veçanërisht jashtë Tiranës.
Grupi i punës kryesohet nga vetë kryeministri Rama dhe ka në përbërje Kryetarin e Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, Zëvëndëskryeministrin Peleshi, Ministri i Brendshëm Tahiri dhe kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli. Grupi i punës do të monitorojë proçesin e regjistrimit të anëtarëve ekzistues në PS, bashkë me rekrutimet e reja që synohen të nxiten.
Rrjedhja e antarësisë drejt LSI-së, duket se e ka detyruar Zoti Rama të fillojë, gjithashtu, edhe një tur takimesh në bazën e partisë, duke i justifikuar ato si ballafaqim me popullin për qeverisjen e deritanishme. Takimin e parë të këtij turi, Kryeministri e zhvilloi në Korçë, fundjavën e shkuar.
Kryeministri Rama ka urdhëruar edhe ministrat e tij të fillojnë takime me elektoratin, të ndarë sipas qarqeve.
Largimet nga PS-ja drejt LSI-së dhe anasjelltas kanë ndodhur edhe më herët, kur dy partitë ishin në opozitë me njëra-tjetrën. Kjo dukuri qe më e dukshme pas vitit 2007, kur Rama e Meta kishin nënshkruar koalicionin e përbashkët opozitar.
Pasi u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, në shkurt të vitit 2007, Zoti Rama nisi të shpërfillë aleatin e tij Ilir Meta. Kjo shpërfillje arriti kulmin kur ai nënshkroi marrëveshjen me PD-në, për ndryshimet e sistemit zgjedhor nga maxhoritar në proporcional.
Si kundërpërgjigje, Zoti Meta nisi një sulm rekrutimesh të anëtarëve të PS-së në LSI. Për disa muaj me radhë, në media shfaqeshin herë Rama e herë Meta para militantëve që i kishin marrë njëri-tjetrit. Largimet më të shumta ishin ato të PS-së drejt LSI-së.
Kjo dukuri u masivizua gjatë viteve 2009-2013, kur LSI ishte në pushtet në koalicion me PD-në. Në atë kohë iu bashkuan LSI-së edhe drejtues të niveleve të larta në PS, si deputeti Vangjel Tavo, kryetari socialist i bashkisë së Lushnjes, Albert Sanxhaku, ish-kreu i PS Shkodër, Edip Shiroka, apo sekretari për çështjet ligjore në PS, Ylli Manjani.