Shqipëria është një nga të paktat vende ish-komuniste që nuk ka bërë pothuajse asgjë për krimet e regjimit diktatorial ku numërohen mbi 7 mijë viktima dhe dhjetëra mijëra të burgosur dhe internuar politik.
Në emisionin “Me Pak Fjalë” u fol për krimet e komunizmit dhe nevojën për mos t’i harruar ato.
Dita e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit Komunist, 20 shkurti, kaloi sërish në heshtje nga qeveria dhe me të përndjekur politikë të pa dëmshpërblyer.
Gjatë diktaturës komuniste u vranë rreth 6800 persona, 1 mij humbën jetën në burgje ndërsa rreth 6 mijë të tjerë vdiqën nga kushtet e kampeve të internimit.
Në total janë kryer rreth 1 milion vite burg nga 34 mijë të burgosur politik.
Të paktën 59 mijë qytetarë u internuan dhe bënë punë të detyruar për ngritjen e infrastukturave të vendit dhe në bujqësi.
Në total kanë qenë 100 burgje, kampe me tela me gjemba, kampe internimi, kampe pune të detyruar.
Pavarësisht kësaj dhune askush nuk u mbajt përgjegjës. Madje, Shqipëria nuk aplikoi dot me sukses një ligj lustracioni që do të thotë se ish-komunistët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit nuk u përjashtuan nga pushteti.
Nga ana tjetër, të përndjekurit nuk u integruan dhe dëmshpërblyen edhe pas 30 viteve. Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave flasin për një faturë financiare prej 750 milionë dollarësh për shpërblimet e ish të përndjekurve politikë nga të cilat janë shlyer 230 milionë.
Ndërkohë që ish-të përndjekurit po shuhen përpara se shteti ti kompensojë Shqipëria ende nuk ka një politikë për kujtesën.