Ambasada e SHBA-ve thirrje partive të qendrojnë larg dhunës

Nga Exit News
Ambasada e SHBA-ve thirrje partive të qendrojnë larg dhunës

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i ka kërkuar partive politike të qendrojnë larg dhunës në fushatën zgjedhore.

“Presim nga udhëheqësit që të shfaqin udhëheqësi, [..] duke u siguruar që partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën [..]”, u shpreh ambasada në një deklaratë për shtyp, për nisjen e fushatës zgjedhore në vend.

Ambasada theksoi se SHBA-të do të marrin masa kundër atyre që nxisin dhunën dhe shkelin ligjin e zgjedhjeve:

“Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij”.

Në deklaratën për shtyp u theksua se qeveria ka rolin kryesor në garantimin e një fushate të qetë dhe ku të zbatohet kërkesat e SHBA-ve:

“Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit”.

Ambasada i bëri apel partive të paraqesin ide dhe kandidatë që përfaqësojnë votuesin:

“Nxisim partitë të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit”.

Gjithashtu, Ambasada i bëri thirrje edhe medias  dhe shoqërisë civile “të luajë rolin e saj me përgjegjësi dhe etikë, duke bërë pyetje të vështira në emër të publikut dhe duke kërkuar përgjigje të vërteta nga kandidatët”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>