Nesër në Tiranë do të vaksinohen kundër COVID-19, rreth 800 të moshuar mbi 70 vjeç, ka thënë drejtoresha e programit të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj.
Gjatë një interviste për Report TV, Nelaj u shpreh se të premten nisi vaksinimi me vaksinën ruse, Sputnik V ndërsa vaksina kineze e Sinovac, është duke u shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore.
Nelaj tha se vaksinimi me vaksinën kineze është më i lehtë pasi ajo është vetëm me një dozë.
“Nesër do të fillojë vaksinimi me popullatën, mund të kenë mbetur pa vaksinuar arsimtarë apo personel shëndetësorë ata që nuk kanë qenë mirë ose që kanë kaluar COVID, por nuk përjashtohen, nuk i iku radha, por tani vaksinimi do të jetë më masiv”, tha shefja e programit të vaksinimit.
Nelaj shtoi se objektivi është 15 mijë vaksinime në ditë. Ajo deklaroi se qytetarët nuk mund të zgjedhin se me kë vaksinë do të vaksinohen.
Po ashtu ajo shtoi se një person që ka marrë dozën e parë të një vaksine, do të marrë dozën e dytë të po asaj vaksine dhe jo një përzierje nga dy vaksina të ndryshme.
Shqipëria ka marrë deri më tani rreth 90 mijë vaksina Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V.
Nesër do të nisë vaksinimi me vaksinën kineze të Sinovac, 192 mijë doza të së cilës mbërritën javën e kaluar. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në total janë siguruar 1 milion doza të vaksinës kineze.