Vaksina e Pfizer dhe BioNTech është rreth 91% efikase në parandalimin e COVID-19, thanë përfaqësues të kompanive të enjten, duke cituar të dhëna të përditësuara të studimeve që përfshinin pjesëmarrës të vaksinuar.
Vaksina rezultoi 100% efikase në parandalimin e COVID-19 mes pjesëmarrësve në studim në Afrikën e Jugut, ku një variant i ri i quajtur B1351 është dominues, raporton Reuters.
Shkalla e re e efikasitetit prej 91.3% është më e ulët se 95% e raportuar fillimisht në nëntor në studimin me rreth 44,000 persona. Disa variante koronavirusi janë përhapur në botë që nga ajo kohë.
Shefi ekzekutiv i Pfizer Albert Bourla tha se rezultatet e reja, të cilat përfshijnë të dhëna për më shumë se 12,000 njerëz të vaksinuar plotësisht për të paktën gjashtë muaj, lejojnë kompaninë të kërkojë miratim të plotë rregullator të SHBA.
Vaksina aktualisht është autorizuar në mënyrë emergjente nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në ShBA
Të dhënat e studimit “ofrojnë rezultatet e para klinike që një vaksinë mund të mbrojë në mënyrë efektive nga variante që qarkullojnë aktualisht, një faktor kritik për të arritur imunitetin e tufës dhe t’i japë fund kësaj pandemie për popullatën globale”, tha shefi ekzekutiv i BioNTech Ugur Sahin në një deklaratë.