Avokati i kontrollorëve të Albcontrol tha se është detyrim ligjor që një punëtor të deklarojë paaftësine në punë nëse ka stres.
Avokati tha se gjendja e stresit ndaj kontrollorëve është krijuar për shkak të pushimit nga puna të dy prej tyre.
Po ashtu tha ai ka ndikuar dhe ulja e pagës në mënyrë drastike për punonjësit. Kjo situatë shtoi avokati vijon që prej marsit të kaluar.
“2 prej tyre deklaruan më parë paaftësinë për punë dhe për ta u nisën procedurat për shkarkimin e tyre. Pas kësaj të gjithë patën stres dhe të gjithë së bashku kanë deklaruar të gjithë paaftësinë për punë. Arsyeja kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale. Ata kanë të bëjnë me sigurinë ajrore të Republikës së Shqipërisë”, tha avokati.
Ai tha se punëtorët e kontrollit ajror nuk e kanë braktisur punën. Avokati tha se kur quhen sabotatorë të punës u shtohet stresi.
“Ata vijojnë të shkojnë në punë por nuk ushtrojnë funksionin. Një kontrollor i trafikut ajror që është në kushtet e pamundësisë psikologjike për ta bërë punën është i detyruar ligjërisht të njoftojë. Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor do të ishte pastaj arsye për heqja nga puna. Kjo nuk është çështje politike. Ne nuk kemi asnjë interes të përfshihemi në politikën e ditës”, tha ai.