Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi deklaroi se të infektuarit me Covid-19 do të lejohen të votojnë nëse shfaqen në qendrat e votimit.
“Në procesin e votimit, se kam pasur disa pyetje, anëtarët e KQZ, nuk janë doktorë, nuk bëjnë vlerësim të askujt nëse duhet apo s’duhet të paraqitet në qendrat e votimit. Kush paraqitet atje do të lejohet të votojë”, u shpreh Celibashi, gjatë një konference për mediat.
Në lidhje me votimin e të dënuarve, Celibashi tha se ata do të paraqiten në qendrat e votimit.
“Në asnjë prej spitaleve nuk janë ngritur qendra votimi, për shkak të pandemisë, sepse nuk duam të vendosim në rrezik komisionerët. Ata votojnë në qendrën e tyre të votimit”, shtoi ai
Një ditë më parë Celibashi pohoi se të infektuarit nuk do të votojnë pasi duhet të qendrojnë në shtëpi. Exit News argumentoi se një vendim i tillë cenon të drejtën për të votuar të parashikuar nga Kushtetuta dhe KEDNJ.