Kreu i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj deklaroi të enjten se ka zbatuar urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë së datës 19 prill për zbatimin e karantinës së detyruar për personat që hyjnë në vend nga Greqia.
Merkaj, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve, gjatë inspektimit të pikës kufitare të Kakavijës, të cilët vunë në dukje se urdhri ka hyrë në fuqi vetëm ditën e sotme, me botimin në Fletoren Zyrtare.
“Propozimi i dhënë nga Komiteti Teknik, të cilët janë njerëzit përgjegjës që marrin këto vendime, është shoqëruar me urdhrin e Ministrit të Shëndetësisë, me numër 219, dt. 19.04.2021. Urdhri, neve na ka ardhur ne fizikisht në këtë datë. Se kur është botuar në Fletoren Zyrtare, unë s’e di çfarë t’ju them,” u shpreh ai.
Merkaj këmbënguli se vendimi i ministrit kishte hyrë në fuqi “pasi ne na ka ardhur si Polici e Shtetit, një urdhër i firmosur, i protokolluar brenda Ministrisë së Shëndetësisë.”
Urdhri më pas i është përcjellur gjithë niveleve të policisë, shtoi ai.
Ndërkohë, neni 117/1 i Kushtetutës përcakton se “Ligjet, aktet normative të Këshillit të Minsitrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qëndrore marrin fuqi juridike vetëm pasi të botohen në fletoren zyrtare.”
Komitetit Teknik vendosi të hënën, 19 prill, që shtetasit që futen në vend nga Greqia duhet të zbatojnë izolimin e detyruar dyjavor, vendim i cili është zbatuar në të njëjtën ditë në pikat kufitare.