Ky vit akademik me shumë gjasa do të mbyllet ‘online’ për studentët, sipas Rektorit të Universitetit të Mjekësisë (UM), Arben Gjata.
Ndonëse nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe gjimnazeve do të kthehen në klasa prej ditës së martë, auditoret e universiteteve do të vijojnë të qëndrojnë të boshatisur deri në fund të këtij viti akademik.
Gjata beson se ky vit “do të mbyllet online” por thekson se vendimi pritet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Në një intervistë për Report TV, rektori i UM zbulon se kanë propozuar që të vaksinohen studentët e këtij universiteti, numri i të cilëve është rreth 5 mijë.
“Shpresojmë që gjatë kësaj vere kjo të realizohet, në mënyrë që vitin tjetër ta nisim të plotë në mënyrë të rregullt nëpër auditore”, tha Arben Gjata.
Universitetet në Shqipëri kanë zhvilluar mësimin ‘online’ që prej marsit të vitit 2020 kur nisën të vendosen masat parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19.