Rusia ka autorizuar për përdorim një variant të vaksinës Sputnik kundër COVID-19 e cila konsiston në një dozë të vetme dhe garanton imunitet të pjesshëm.
Fondi Rus i Investimeve Direkte (FRID) ka njoftuar të enjten se varianti i quajtur “Sputnik Light” është autorizuar për përdorim dhe do të mund të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes në vendet me nivele të larta infektimi, raporton Reuters.
E zhvilluar nga Instituti Gamaleya i Moskës, vaksina sipas FRID, është 79.4% efikase kundër COVID-19 dhe kushton nën 10 dollarë një dozë.
Testimi i vaksinës është bërë midis 5 dhjetorit 2020 dhe 15 prillit 2021 në Rusi, Emiratet e Bashkuara dhe Ganë.
“Regjimi me një dozë të vetme zgjidh sfidën e imunizimit të grupeve të mëdha në një kohë më të shkurtër, e cila është veçanërisht e rëndësishme gjatë fazës akute të përhapjes së koronavirusit, duke arritur imunitetin e tufës më shpejt”, tha kreu i RDIF Kirill Dmitriev.
Ai shtoi se vaksina Sputnik V me dy doza do të mbetet burimi kryesor i vaksinimit në Rusi, e cila tashmë ka autorizuar dy vaksina të tjera për përdorim.
Shkencëtarët rusë muajin e kaluar thanë se Sputnik V ishte 97.6% efikase ndaj COVID-19.
Agjencia Evropiane e Barnave nuk e ka miratuar ende këtë vaksinë dhe Austria të martën tha se do të blinte Sputnik V vetëm pas miratimit të EMA.