Nëse vini ndonjëherë në Shqipëri ka të ngjarë të hasni në këtë pije që pihet në sasi të mëdha si në mënyrë rekreative ashtu edhe terapeutike, shkruan The Ballkanista për pijen karakteristike shqiptare.
Ky çaj përbëhet nga lule të thata të zgjedhura me duar, gjethe dhe kërcell të bimës Sideritis, të cilat rriten në të gjithë rajonet malore të Ballkanit.
Bima specifike gjendet në shpatet shkëmbore në lartësi shumë të larta mbi 1000 metra. Sipas studiuesve, gjinia Sideritis përfshin mbi 150 specie të disponueshme. Për të mos u ngatërruar me çajin e rregullt të pasur me polifenol dhe kafeinë, ky çaj ka një aromë të ëmbël, lulesh dhe tokësore dhe është pa kafeinë.
Shumë vite më parë, caj përdorej zakonisht për të trajtuar plagët – veçanërisht ato nga shpatat e thepisura. Në ditët e sotme, bima konsumohet më së shumti në çaj, por edhe vajrat e prodhuara prej saj përdoren në një shumëllojshmëri të ilaçeve bimore dhe produkteve kozmetike në të gjithë rajonin.
Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të bimës ka qenë padyshim diapazoni i gjerë i përfitimeve shëndetësore. Që nga antikiteti, ajo konsiderohej si një ilaç për ftohjet, dhimbjet, alergjitë, tretjen e ushqimit, problemet e frymëmarrjes dhe forcimin e imunitetit.
Të gjitha këto pretendime u verifikuan edhe shkencërisht: disa studime kanë konfirmuar se çaji i malit është i mbushur me flavonoide dhe antioksidantë për uljen e presionit të lartë të gjakut.
Studimet e fundit në Universitetin e Magdeburg argumentojnë se jo vetëm që Sideritis parandalon dhe trajton sëmundjen e Alzheimerit, por gjithashtu mund të ndihmojë në ngadalësimin e osteoporozës.
Sipas një studimi të botuar në 2011 në gazetën evropiane të Farmacisë, të gjitha bimët e specieve Sideritis kanë veti anti-mikrobike, anti-inflamatore, antioksiduese dhe antispasmodike.
Ato janë të pasura me një numër antioksidantësh natyralë, përfshirë flavonoidet, dhe pothuajse të gjitha speciet përmbajnë vajra thelbësorë.
Përveç kësaj, sipas një publikimi të vitit 2012, në të njëjtën gazetë, ekstrakte të bëra nga Sideritis ndihmuan në uljen e niveleve të presionit të gjakut ndërsa ndihmonin enët e gjakut të relaksoheshin.