Partia Demokratike, PD ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK kryeministrin Edi Rama për krime zgjedhore.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi u shpreh për median se Rama ka liruar nga burgu Basri Babaj. Babaj sipas PD-së, u ndalua më 21 prill, nga Policia e Shkodrës. Në makinën e tij u gjendën armë dhe para “që përdoreshin për të blerë vota si dhe materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zonës”.
“Me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, Basri Babaj është lënë i lirë në mesnatën e po asaj dite. Ndërhyrjen e Edi Ramës e ka ndërmjetësuar një telefonatë e Frrok Gjinit, i renditur i pesti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës”, sqaroi Bardhi.
Bardhi u shpreh qe PD zgjodhi të mos bashkëpunojë me bandat, sepse një fitore me ndihmën e bandave do të ishte një humbje për Shqipërinë:
“Nëse ne do të kishim fituar me banda, Shqipëria do të kishte humbur edhe nesër, jo vetëm sot. Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend”.