Presidenti slloven Borut Pahor nuk mbështeti idenë e ndryshimeve të kufijve në Ballkanin Perëndimor, siç sugjerohet në një dokument jo zyrtar të botuar nga media sllovene, muajin e kaluar.
“Unë nuk jam dakord me ndryshimet e kufijve. Qëndrimi im për këtë çështje është krejtësisht i kundërt. Unë dua të bind bashkëbiseduesit në Samitin e Brdo për të vazhduar procesin e zgjerimit dhe reformave”, u shpreh Pahor në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten në Prishtinë.
Media sllovene pretendoi se dokumenti për ri-vizatimin e kufijve politikë në Ballkan sipas etnisë, ishte një ide e Kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansa.
Ndërsa, Osmani u shpreh se kufijtë e Kosovës dhe qeverisja e saj e brendshëm u vendosën “njëherë e përgjithmonë” kur Kosova shpalli pavarësinë në 2008.
Ajo shtoi se gjatë përvojës së saj politike nuk kishte parë kurrë Slloveninë të mbështeste “aventura të tilla” të rrezikshme si ndryshimet e kufijve.
Vizita e Pahor në Kosovë u zhvillua disa ditë përpara takimit të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor Brdo-Brijuni më 17 maj, në Slloveni.
Samiti vjetor synon të mbështesë integrimin evropian dhe stabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor duke forcuar dialogun politik, bashkëpunimin rajonal, vendosjen e besimit të ndërsjellë dhe zgjidhjen e çështjeve bilaterale dhe rajonale.
Osmani dhe Pahor biseduan për temat që do të diskutohen në samit, duke theksuar nevojën për përparim në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.