Izraeli ka vijuar të bombardojë Gazën me artileri dhe sulme ajrore të premten duke vrarë 13 palestinezë, raporton Reuters.
Sulmi kishte në shënjestër tunelet e militantëve palestinezë në përpjekje për të ndaluar sulmet e vazhdueshme me raketa në qytetet izraelite.
Mes viktimave ishin një nënë dhe tre fëmijët e saj.
Operacioni izraelit përfshiu 160 aeroplanë si dhe tanke dhe artileri që qëlluan nga jashtë Rripit të Gazës, tha zëdhënësi ushtarak izraelit nënkolonel Jonathan Conricus.
Palestinezët u kundërpërgjigjën me breshëri raketash që goditën Izraelin jugor.
Përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar një armëpushim po drejtohen nga Egjipti ndërsa burime vendase kanë pranuar për Reuters se asnjëra palë nuk duket e gatshme për një gjë të tillë megjithëse një zyrtar palestinez tha se negociatat ishin shtuar të premten.
Hamasi, grupi që qeveris në Gaza, lëshoi të hënën raketa në drejtim të Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë Xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalem, vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame.
Dhuna është përhapur dhe në qytete ku bashkëjetojnë hebrenjtë dhe komuniteti arab i Izraelit. Ka pasur gjithashtu përplasje midis protestuesve palestinezë dhe policëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ku zyrtarët e shëndetësisë thanë se pesë palestinezë ishin vrarë të premten.
Sulmet e ditëve të fundit kanë shkaktuar 122 viktima në Gaza, përfshi 31 fëmijë dhe 20 gra, ndërsa 900 të tjerë janë plagosur, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.
Në Izrael kanë humbur jetën 8 persona, mes tyre një ushtar që patrullonte në kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë – përfshirë dy fëmijë, një grua të moshuar dhe një punëtor indian, thanë autoritetet izraelite.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se kishte raporte për më shumë se 200 njësi banimi të shkatërruara ose dëmtuara rëndë në Gaza dhe qindra njerëz që kërkonin strehim në shkolla.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten fushata “do të marrë më shumë kohë”. Zyrtarët izraelitë thanë se Hamasit, grupit më të fuqishëm militant islamik të Gazës, duhet t’i jepet një goditje e fortë përpara çdo armëpushimi.
Linjat ajrore të mëdha kanë pezulluar fluturimet për në Izrael për shkak të konfliktit.