Partia Demokratike dhe LSI kanë kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në disa qarqe të vendit.
Partia Demokratike ka paraqitur në KQZ një sërë kërkesash ankimore duke pretenduar se ato janë shoqëruar me “qindra prova fakte dhe të dhëna që provojnë tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve”.
PD ka kërkuar përsëritjen e votimit në në 9 nga 12 qarqet—në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë.
Me kerkesa të veçanta, LSI ka kërkuar ripërsëritjen e zgjedhjeve në qarqet Berat, Durrës, Gjirokastër, Korçë e Fier. Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ankimaur gjithashtu rezultatin në qarkun e Tiranës.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) i KQZ është duke i trajtuar këto kërkesa dhe do të vendosë qark pas qarku. Për qarkun e Beratit, KAS vendosi që në bazë të kërkesës së LSI-së të rihapë 24 kuti. Nëse plotësohen disa kushte ligjore, KAS mund të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në nivel qarku.
Kur përsëritën zgjedhjet?
Përsëritja e zgjedhjeve në një qark mund të bëhet vetëm nëse kërkuesi—një subjekt zgjedhor në këtë rast PD, LSI apo kandidatët e Vetëvendosjes—sjellin prova që vertetojnë se një subjekt tjetër zgjedhor ka marrë më shumë mandate nga sa i takojnë, duke përdorur metoda të paligjshme.
Kodi Zgjedhor (neni 161) parashikon se zgjedhjet mund të përsëriten në një zonë zgjedhore, pra në një qark, vetëm pasi të jetë shpallur i pavlefshëm votimi në një apo disa qendra votimi të asaj zone.
Sipas ligjit, zgjedhjet në një qendër votimi shpallen të pavlefshme kur në këtë qendër:
a) kanë ndodhur shkelje ligjore që kanë cënuar rëndë procesin zgjedhor ose në një masë të tillë që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore;
b) kanë ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të tilla, që kanë penguar pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim; ose
c) votimi nuk ka filluar apo është pezulluar për më shumë se pesë orë.
Nëse parregullsia e shpallur në një apo disa qendra votimi të një qarku mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në atë qark, atëhere KQZ duhet të përsërisë zgjedhjet në të gjithë qarkun —jo vetëm në qendrat ku ka patur shkelje ligjore.
Kur ndikohet shpërndarja e mandateve?
Ligji thotë se shpërndarja ndikohet kur numri i zgjedhësve që kanë votuar në qendrat ku votimi është shpallur i pavlefshëhm është më i madh se numri i votave që mund t’ja kalonin një mandate të dhënë një subjekti tjetër.
Kështu për shembull në qarkun e Beratit, PS e ka marrë mandatin e pestë vetëm me 65 vota. Nëse PS do kishte fituar 65 vota më pak në Berat, atëhere ky mandate do t’i jepej LSI-së—e cila nuk ka marrë asnjë mandate në Berat.
Nëse në Berat shpallet i pavlefshëm votimi në një qendër që ka më shumë se 65 zgjedhës, atëhere konsiderohet se shkeljet në këtë qendër kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve në qarkun e Beratit dhe duhet të përsëriten në të gjithë qarkun.
Pasi shpall të pavlefshëm zgjedhjet në një qark, KQZ vendos datën dhe orari kur do të ribëhet votimi në atë, që gjithsesi duhet të mbahen brenda katër javësh nga data e vendimit të KQZ.
Vendimi i KQZ-së mund të ankimohet nga çdo subjekt zgjedhor në Kolegjin Zgjedhor, vendimi i të cilit është përfundimtar.