Nga 300 deri në 700 milionë euro para të paligjshme në një vit futen në Shqipëri, sipas një vlerësimi të raportit të Nismës Globale Kundër Krimit Ndërnacional (GIATOC).
Paratë e paligjshme kanë tre burime kryesore: aktivitetet kriminale, korrupsionin dhe mashtrimin me taksat.
Në Shqipëri, rreth 1.6 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit, në tre vitet e fundit.
Pas vitit 2015 në Shqipëri ka patur një fluks ndërtimesh të reja. Sipërfaqja e ndërtimeve që iu janë dhënë leje për tu ngritur është pesëfishuar nga 2015 në 2020.
Kjo rritje është vënë re edhe gjatë vitit të pandemisë ku të gjithë sektorët e ekonomisë pësuan humbje.
Në një vit krize, vetëm sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme raportuan rritje. Kjo rritje nga ana tjetër nuk është në një linjë me zhvillimin ekonomik të vendit dhe me kërkesën e njerëzve për të blerë shtëpi.
Në 2017 çmimi i metrit katror të një apartamenti në Tiranë ishte mesatarisht 861 €. Në 2020 ai është 1400 – 2000 € ndërsa në disa zona shkon deri në 4 mijë euro.
“Duke qenë të paligjshme, këto trende janë të vështira për t’u studiuar dhe vlerësuar”, tha bashkëautores së raportit të GIATOC, Kristina Amerhauser, për emisionin “Me Pak Fjalë”.