Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë të enjten prokurorin e Elbasanit, Alfred Shehu.
Komisioni nuk gjeti probleme me pasurinë e prokurorit Shehu. Atij i kaloi barra e provës për një bilanc negativ prej 129 mijë lekësh në një transaksion mes anëtarëve të familjes dhe një tjetër prej 1.4 milion lekësh lidhur me blerjen e një shtëpie në vitin 2013.
Komisioni po ashtu rrëzoi një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi figurën e Shehut, pasi të dhënat e referuara prej këtij institucioni “nuk përputheshin” me ato që KPK kishte gjetur në dosjen penale.
Alfred Shehu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Gramshit. Prej vitit 2007, Shehu e ushtron funksionin në Prokurorinë e Elbasanit. Shehu po heton aktualisht një nga konfliktet më të diskutueshme të situatës parazgjedhore në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.