Ish-kryeministri, Sali Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp të mërkurën se do të padis për shpifje Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Gjykatën Korreksionale të Parisit.
Padia lidhet me vendimin e Blinken për të përcaktuar familjen Berisha si të papërshtatshme për të hyrë në SHBA, për shkak të ushtrimit të korrupsionit.
“Nuk ka njeri në Shqiperi apo në botë që mund të thotë se unë jam ose kam qënë i implikuar në një aferë korruptive. Prandaj, dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral si Franca, që të ngrejë padi ndaj zotit Bliken në Gjykatën e Parisit për shpifje publike,” u shpreh Berisha.
Berisha shtoi se Blinken nuk mund të fshihet pas imunitetit dhe se kjo ishte një çështje e dinjitetit për të.
“Unë kam qënë Presidenti i Republikës dhe kryeministër i Shqipërisë. Kam qënë përgjegjës për dinjitetin e popullit dhe jam përpjekur të bëjë çdo gjë për këtë dinjitet. Sot jam përgjegjës për dinjitetin tim,” deklaroi ai.
Berisha tha se ishte dinjiteti që e shtyu të rrëzonte regjimin komunist, që e detyronte të mendonte ndryshe e fliste ndryshe në publik.