Presidenti i Komisionit Evropian Juncker rrezikon të humbasë postin

Presidenti i Komisionit Evropian Juncker rrezikon të humbasë postin

Berlini zyrtar po kërkon me ngulm dorëheqjen e Presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Junker.

Sipas medias Sunday Times, referuar dhe nga shumë media të tjera evropiane, kancelarja gjermane Angela Merkel nuk është e kënaqur me mënyrën se si presidenti Juncker po e trajton daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja dhe me iniciativën e tij për marrjen e përgjegjësisë për të negociuar daljen e saj.

Presidenti Juncker e ka bërë publik qëndrimin e tij lidhur me Brexit: ai kërkon një dalje sa më të shpejtë të MB-së, ndryshe nga Kancelarja Merkel dhe disa shtete të tjera anëtare që po kërkojnë një qasje më të matur e negociata të qeta.

Një prej ministrave gjerman u shpreh se presioni që Zoti Juncker të japë dorëheqjen do të vijë duke u rritur, në muajt në vazhdim.

“Juncker, në mënyrë të vazhdueshme, ka vepruar kundër interesit të përbashkët dhe reagimi i tij për referendumin britanik ishte i dëmshëm”, ka deklaruar ministri gjerman për Sunday Times.

Ende nuk është e qartë se kush do të jetë udhëheqësi në negociatat e MB-së për zbatimin e nenit 50 të traktatit të Lisbonës për shkëputjen e saj zyrtare.

Deri më tani, si shtetet anëtare, ashtu dhe Komisioni Europian kanë dashur të marrin përsipër bisedimet.

Presidenti Juncker tentoi të vendosë këshilltarin e tij Martin Salmayr si kryenegociator, por kjo tentativë dështoi kur Këshilli Evropian krijoi një grup punë për Brexit, udhëhequr nga diplomati belg Didier Seeuws.

Qëndrimet e ndryshme të Presidentit Juncker, Kancelares Merkel dhe shteteve të tjera anëtare duket se lidhen ngushtë dhe me qasjen që secili prej tyre ka për Bashkimin Evropian.

Zoti Juncker ka kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe për një integrim më të thellë evropian, ndërsa kancelarja Merkel ka deklaruar se e sheh BE-në si një bashkëpunim intensiv mes vendeve, por jo si një mundësi për t’i dhënë më shumë pushtet institucioneve të BE-së.

Artikuj të lidhur:

Kjo është arroganca e burokratëve të Brukselit që refuzuan britanikët

Si do të dalë Mbretëria e Bashkuar nga BE? — Exit shpjegon

Brexit: efektet e mundshme — Exit shpjegon

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>