Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është shprehur se ish-ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin i ka kërkuar të arrestojë Sali Berishën.
Në një intervistë për Syri Tv, Llalla ka treguar se gjatë kohës që ishte Prokuror i Përgjithshëm, ambasadorja e atëherëshme e BE-së, Vlahutin i ka kërkuar në zyrë që të arrestojë ish-kryeministrin Sali Berisha që të ndihmojë Shqipërinë në integrimin në BE.
“Ajo më tha se, që Shqipëria të futet në BE duhet të ndjekë rrugën e Kroacisë dhe të arrestojë Sali Berishën dhe ti ke rastin që të tregosh forcën tënde të ndihmosh Shqipërinë të futet në BE”, tha Llalla.
Ish-kryeprokurori ka zbuluar se në dijeni të këtij fakti ka qenë presidenti i atëhershëm Bujar Nishani dhe ai aktual Ilir Meta.
Llalla ka mohuar që të ketë patur hetime që kanë nxjerrë prova që Berisha të ishte përfshirë në një situatë paligjshmërie.
Vetë Berisha ka pranuar në një intervistë në 2018 se Romana Vlahutin i ka kërkuar kryeprokurorit Llalla arrestimin e tij.
Deklaratat e ish-kryeprokurorit Llalla vijnë disa javë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të shpallë ‘non-grata’, Sali Berishën për përfshirje në korrupsion dhe minim të demokracisë.
Dhjetë ditë më parë, Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga sistemi i drejtësisë dhe poste publike nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion për mosdeklarim të saktë të pasurisë.