Pas lajmit të ndarjes nga jeta të regjizorit të mirënjohur Pirro Mani në Shtetet e Bashkuara ku jetonte, nuk ka munguar reagimi i politikanëve shqiptar
Presidenti Ilir Meta, përmes një statusi në rrjetin Facebook, shprehu ngushëllimet për humbjen e personalitetit të teatrit dhe filmit.
“Aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme, si dhe pedagog i shkëlqyer për dekada, ai luajti dhe vuri në skenë me dhjetëra role dhe shfaqje , për t’u nderuar me shumë çmime dhe fituar duartrokitjet e respektin e merituar të artdashësve, duke lënë pas një trashëgimi të vyer kulturore” shkruan Meta në dedikimin e tij.
Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes një deklaratë në faqen e institucionit, nderoi Manin duke e quajtur “sinonim të artit të regjizurës shqiptare”.
“Veprat që ka venë në skenë Pirro Mani i kanë sjellë publikut jehonën e ngjarjeve monumentale të historisë së shqiptarëve dhe historisë botërore,” vijon më tej Ruçi.
Ai shtoi se vepra e Manit ka qënë burim emancipimi kulturor dhe shoqëror për shqiptarët.
Kryeministri Rama e cilësoi Manin usta të skenës teatrore.
“Pa të kultura dhe historia e artit skenik shqiptar do të ishin shumë më të varfër,” shkruan Rama.
Edhe kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha shprehu hidhërim për marrjen e lajmit.
“E sotmja është një ditë e trishtë për teatrin dhe kinematografinë, një ditë e trishtë për artin shqiptar, një ditë e trishtë për artdashësit,” u shpreh Basha.
Ata ngushëlluan familjen, të dashurit dhe botën e artit për humbjen.