El Salvadori mund të jetë shteti i parë që miraton zyrtarisht përdorimin e kripto-monedhës Bitcoin, nëse Kongresi i vendit të Amerikës Qëndrore miraton propozimin e presidntit Nayib Bukele.
Bitcoin do të përdoret së bashku me dollarin amerikan, monedhën zyrtare të El Salvadorit.
Presidenti thotë se Bitcoin do të bëjë më të lehtë dërgimin e remitancave në El Salvador dhe gjithashtu do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe rritjen e investimeve në vend.
Nëse Kongresi do të miratojë projekt-ligjin, 70% e salvadorianëve që nuk kanë llogari bankare do të kenë akses në shërbime financiare sipas Bukele.
Bitcoin është një aset virtual pa lidhje të drejtpërdrejtë me ekonominë reale. Vlera e tij ka pësuar luhatje të mëdha në vlerë në vitet e fundit.
Shumica e bankave qendrore të botës po shikojnë mundësinë e krijimit të monedhave të tyre dixhitale. Në prill, Banka e Anglisë njoftoi se po shikonte mundësinë e krijimit të një kripto-monedhe që do të ekzistonte së bashku me paratë cash dhe depozitat bankare.