Gati tre dekada pas konfliktit më të ashpër në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Tribunali për krimet e luftës në Hagë, do të japë të martën vendimin përfundimtar kundër Ratko Mlladiç, figura më famëkeqe në luftën 1992-1995 që vrau më shumë se 100 000 njerëz dhe la miliona të pastrehë.
Gjykata e dënoi Mlladiç në 2017 me burgim të përjetshëm, pasi e shpalli atë fajtor për organizimin e krimeve gjatë Luftës së Bosnjës 1992-95, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë në 1995, ku forcat e tij vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem muslimanë boshnjakë.
Mlladiç apeloi vendimin, por çështja është vonuar vazhdimisht nga gjendja e tij shëndetësore dhe së fundmi, nga pandemia e COVID-19.
Shumë shpresojnë që vendimi përfundimtar të lehtësojë plagët për familjet e viktimave dhe të përçojë në mesazhin se nuk ka falje për krimet e luftës.
Sofia Stolk, një studiuese në Institutin Asser në Hagë, tha për Associated Press se vendimi përfundimtar është i rëndësishëm sepse mbyll çështjen e fundit kryesore të Tribunalit dhe sepse ka të bëjë me gjenocidin, vrasjen e qëllimshme të njerëzve nga një komb i caktuar ose grup etnik me qëllim shkatërrimin e tij.
Stolk tha gjithshtu se reagimi në Ballkan ndaj Mlladiç dhe kriminelëve të tjerë të luftës është i përzier.
Postera, monumente dhe imazhe të pikturuara të Mlladiç janë ende të pranishëm në Republika Srpska, pjesa e Bosnjës që qeveriset nga serbët, ku shumica besojnë se akuzat ndaj Mlladiç janë trillime nga mbështetësit e Perëndimit në Bosnjë dhe Kroaci.
Ndërsa ishte akuzuar për krime lufte në 1995 nga gjykata Jugosllave e krimeve të luftës, Mlladiç u fsheh dhe iu shmang drejtësisë deri në 2011, kur u kap dhe u dorëzua në Hagë.
Përpara vendimit përfundimtar, avokatët e Mlladiç kanë kërkuar pafajësinë për akuzat për orkestrimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe përfshirjen në shumë mizori të tjera, përfshirë rrethimin e Sarajevës.
Nga ana tjetër, prokurorët nuk ishin të kënaqur që Mlladiç u dënua për gjenocid vetëm në Srebrenicë dhe jo gjithashtu në zona të tjera ku forcat serbe të Bosnjës nën komandën e tij torturuan, burgosën, vranë dhe dëbuan popullsi joserbe.