PD i heq të drejtën e votës anëtarëve mbështetës të partive të reja – Çfarë thotë statuti

Nga Exit News
PD i heq të drejtën e votës anëtarëve mbështetës të partive të reja – Çfarë thotë statuti

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të PD-së Jemin Gjana deklaroi sot se anëtarët të cilët kanë bërë fushatë ose kanë qënë komisioner për partitë e krijuara në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do të votojnë.

Ai nuk tha nëse është ndjekur një procedurë në parti për heqjen e të drejtës së votës, por theksoi se mjafton që një kryetar grup seksioni ose partie t’i ketë parë ata duke komentuar në Facebook, në mbështetje të një prej partive të reja.

“Unë kam bërë fushatë për zonjën Tabaku në njësinë numër 2 në Tiranë. Dhe kam parë kush janë aktivistët e një partie apo një tjetër. Kam parë fytyra. Kam parë takime. Janë takuar me njerëzit. Kanë përdorur mjete të shumta.

Të dekonspiron Facebook, nëse bënë komente positive tek kandidati i partisë tjetër. Ne nuk kemi patronazhistë siç ka pushteti që ta ndajmë këtë gjë, por kemi shfaqjen e dukshme. Nuk kemi asnjë person që ta kemi ngarkuar e t’i themi spiuno”, u shpreh Jemin Gjana.

Çfarë parashikon statusit i PD-së

Konsiderohen anëtarë të PDSH-së, me të drejtë vote, të gjithë ata që:

Kanë bërë anëtarësimin e tyre individual dhe janë pranuar e regjistruar si anëtar jo më vonë se 6 muaj përpara datës së zgjedhjes ku ai merr pjesë;

Kanë paguar kuotën vjetore të anëtarësisë në masën e caktuar me vendim të Kryesisë së PDSH-së;

Ndaj tyre nuk është marrë masa disiplinore e përjashtimit apo pezullimit nga partia apo nuk kanë dhënë dorëheqjen;

Marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e organeve ku bëjnë pjesë.

Neni 26, Përfundimi i anëtarësisë:

Anëtarësia përfundon kur anëtari vdes, largohet me kërkesën e tij ose përjashtohet.

Çdo anëtar mund të largohet nga Partia me vullnetin e tij, duke njoftuar seksionin ku bën pjesë ose organin ku është i zgjedhur.

Anëtari përjashtohet kur ndaj tij merret masë disiplinore, e cila sipas statutit të PD-së funksionon kështu:

Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi.

Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit. Ato mund të bëhen publike.

Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje.

Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>