Mbi 80 % e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet. Kjo është gjetja e sondazhit të opinioni publik, “Besimi në qeverisje 2020”, i kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Sondazhi u krye në periudhën nëntor-dhjetor 2020 në të 61 bashkitë e vendit, në një kampion me 2,500 persona të zgjedhur në mënyrë rastësore. Gjetjet kryesore të sondazhit janë:
86.7% e shqiptarëve raportojnë se korrupsioni i nivelit të ulët është i përhapur, ndërkohë që 84.1% thanë se korrupsioni i nivelit të lartë është i përhapur.
44% e shqiptarëve që duan të largohen drejt një vendi tjetër.
70% e shqiptarëve nuk ndihen të sigurt në jetën e përditshme. Arsyet kryesore për ndjenjën e pasigurisë janë kriminaliteti, shëndetësia pa cilësi e standard, pasiguria e vendit të punës, dhe padrejtësia.
80% e shqiptarëve janë të mendimit se gratë janë po aq të afta sa edhe burrat për të mbajtur çdo post publik.
Një në tre shqiptarë beson se informacioni i dhënë nga media në Shqipëri është i saktë/i vërtetë.
Gjetjet e tjera të sondazhit janë:
Institucionet gjyqësore renditen si më të korruptuara në 2020, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor, organet e zbatimit të ligjit, dhe Parlamenti.
Organizatat ndërkombëtare, si NATO, OKB dhe BE, renditen si institucionet më të besuara. Dhe se ato i kërkojnë llogari qeverisë shumë më tepër se institucionet vendase.
7 në 10 shqiptarë nuk kanë besim në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Përqindja e shqiptarëve që raportojnë se kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim nga qeveria qendrore është rritur nga 19% në 2019 në 32% vitin 2020.
Më pak se gjysma e shqiptarëve të anketuar janë të kënaqur me përgjigjen pas tërmetit nga qeveria qendrore (38%) dhe qeveria vendore (38%).
Institucionet fetare (69.8%) janë institucionet më të besuara në vend për shqiptarët, pasuar nga institucionet arsimore (54.1%), forcat e armatosura (54%) dhe organizatat e shoqërisë civile (52.6%).
Televizioni (58%) mbetet burimi mediatik më popullor për marrjen e të rejave më të fundit për aktualitetin.
Shumica e shqiptarëve të anketuar i perceptojnë qeverinë qendrore (64.3%) dhe bashkitë (62.2%) si jo transparente, edhe pse krahasuar me vitin 2019, perceptimi për transparencën në nivelin qendror dhe vendor të qeverisjes është rritur me 1 p.p. dhe 2 p.p. përkatësisht.
Shqiptarët e anketuar priren të besojnë se mekanizmi më efikas i llogaridhënies në vend është Kontrolli i Lartë i Shtetit (60.7%), i ndjekur nga media (52.8%), Parlamenti (48.1%), shoqëria civile (44.8) dhe Avokati i Popullit (44.3%).