Kryeministri Edi Rama u shpreh se Parlamenti hollandez ka mbështetur hapjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri–BE (KNQ), në mbledhjen e Këshillit Europian në fund të qershorit. Në një postim në Twitter, Rama shkroi se Hollanda mbajti Shqipërinë peng derisa mbaroi zgjedhjet e brendshme të saj, në 17 mars 2021.
“Ju’a kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan Shqipëria u zhbllokua”, shkroi ai.
Por, vendimi përfundimtar do të votohet nesër në seancën plenare të parlamentit hollandez. Sot, Komisioni i Jashtëm në Parlamentin hollandez ka nisur në orën 14:00 diskutimin mbi propozimin e qeverisë hollandeze për mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së, më 21 qershor.
Qeveria holandeze më 4 qershor mbështeti përfundimin e Komisionit Europian se Shqipëria ka bërë përparim të mjaftueshëm për përmbushjen e kushteve të vëna nga Këshilli Europian për mbajtjen e KNQ-së.
Në raportin për parlamentin, qeveria holandeze ka analizuar gjetjet e Komisionit për secilin nga kushtet dhe ka rënë dakord me Komisionin se kushtet janë përmbushur të gjitha.
Kushtet kryesore që i janë venë Shqipërisë janë reforma zgjedhore; reforma në drejtësi; forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; ulja e numrit të azilkërkuesve pa bazë dhe riatdhesimi i tyre; miratimi i ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Kushte të tjera rëndësishme janë hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të përjashtuar nga vetingu; hetimi i rasteve te manipulimeve zgjedhore; reforma e administratës publike; vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019; si dhe të drejtat e minoriteteve, veçanërisht respektimi i standardeve ndërkombëtare për regjistrimin e minoriteteve dhe pasurive të tyre.
Ndërsa vlerëson hetimin e 13 komisionerëve dhe 2 votuesve për krime elektorale në vitin 2017, qeveria holandeze kërkon nxjerrjen e tyre para gjykatës. Ajo bën gjithashtu thirrje për hetimin pa humbur kohë të rasteve të denoncuara për zgjedhjet e fundit.