Kancelari austriak, Sebastian Kurz, mblodhi të premten në një samit vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar, përveç perspektivës evropiane të integrimit, problemet e emigrantëve të paligjshëm dhe ringritjen ekonomike nga pandemia.
Samiti mblodhi në Vjenë udhëheqësit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
I pranishëm ka qënë edhe i Dërguari i Veçantë i BE-së në dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.
Ka qënë vetë kryeministri austriak, përmes një serie postimesh në Twitter që ka njoftuar mbi zhvillimet e takimit.
“Në Samitin e Ballkanit Perëndimor sot, ne tashmë kemi pasur bisedime të mira midis krerëve të qeverive e MiroslavLajcak, në lidhje me mbështetjen e perspektivës së BE të Ballkanit Perëndimor, luftimin e pandemisë së bashku dhe luftimin e migrimit të paligjshëm së bashku,” shkruan ai.
Një nga temat e diskutimit ka qënë mbrojtja e kufijëve, për të cilët Austria ka ndihmuar me trupa.
“Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, ne riafirmojmë luftën e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht para verës që vjen,” shkruan Kurz.
Po ashtu ai ofroi mbështetje për reformat që vendet duhet të kryejnë për t’u integruar në BE, duke ritheksuar se blloku nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Austria ka paraqitur planin e saj “me një fokus të veçantë në gjelbërimin dhe dixhitalizimin”, si dhe ka diskutuar projektin “Next Generation EU”, që synon të ndihmojë në ringritjes ekonomike pas pandemisë.
Më herët, Kurz njoftoi se Austria do të vërë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor 1 milion vaksina.