Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hedhur poshtë akuzat e përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs, ndaj kryetares së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, për përgjim të kolegut të tij Hans Kijlstra, gjatë procesit të vetingut ndaj saj.
KPK shprehet se nuk ka asnjë provë apo indicje për përgjime për vëzhguesin ndërkombëtar.
“Nga asnjë institucion ligjzbatues në Shqipëri nuk rezultoi asnjë lloj e dhëne, prove apo indicije, që të lidhë subjektin e rivlerësimit me pretendimin e ngritur për vëzhgime apo fotografime të mundshme të ish vëzhguesit ndërkombëtar”, thuhet në vendim.
Në 24 gusht 2020, Jacobs akuzoi Imerajn se kishte vënë nën përgjim Kijlstran në kohën që ai ishte vëzhgues ndërkombëtar i procesit të vetingut ndaj saj. Jacobs bazohej në denoncimin me shkrim të një qytetari.
Për këtë denoncim nuk është gjetur asnjë provë. Nga ana tjetër, nuk ka rezultuar që Kijlistra ta ketë adresuar shqetësimin e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri në asnjë nga agjencitë kompetente për ndjekjen e rastit, si në polici apo prokurori.
Imeraj është shprehur më herët se është e gatshme të hetohet për akuzat ndaj saj.
Ajo është kryeprokurore e Tiranës nga gushti i 2018. Imeraj ishte një nga prokuroret e përzgjedhura për t’iu bashkuar SPAK por u tërhoq disa ditë më parë nga ky kandidim.
Elisabeta Imeraj ka punuar prej vitesh në prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ishte një prej hetueseve të çështjes së ish-ministrit Tahiri. Ajo ka kaluar me sukses vetingun nw muajin prill 2021.