Mjekët specializantë kërkojnë të rishikohet vendimi për ndërprerjen e kontratave të punës

Nga Exit News
Mjekët specializantë kërkojnë të rishikohet vendimi për ndërprerjen e kontratave të punës

Mjekët specializantë kërkojnë që të rishikohet urdhëri i ministrisë së Shëndetësisë për ndërprerjen e kontratave të tyre të punës, në të kundërt ata paralajmërojnë protesta dhe dërgimin e çështjes në gjykatë.

Për shkak të krizës së pandemisë, mjekët specializantë u rekrutuan në shërbimin mjekësor shtetëror. Atyre iu lidhën kontrata dhe u paguan si mjekë gjatë kësaj periudhe. Por me lehtësimin e situatës Ministria ka kërkuar ndërprerjen e kontratave të tyre dhe kthimin në shkolla.

Një përfaqësi e specializantëve deklaroi sot në media se ndërprerja e kontratave që ata kishin me spitalet ishte e paligjshme.

Ata thonë se nuk ka asnjë rregull që i ndalon mjekët specializantë që të punojnë ndërkohë që ndjekin specializimin.

Sa i përket kontratave të punës, ata janë shprehur se nuk ka një pikë ku thuhet se mjekët nuk duhet të ndjekin studimet për specializim gjatë punës.

Sipas tyre, rreth 700-800 mjekë specializantë preken nga vendimi i ministrisë për ndërprerjen e kontratave të punës.

Mjekët specializantë kërkojnë rishikim të shkresës dhe takim me ministrinë për të rënë dakord mbi një marrëveshje.

“Do përshkallëzojmë veprimet tona, protesta dhe deri në proces gjyqsor”, paralajmëruan ata nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh.

Gjatë periudhës së specializimit, mjekët në Shqipëri nuk paguhen. Ata kanë vetëm një kontratë me Universitetin ku kryejnë shkollimin për të cilin paguajnë një tarifë vjetore rreth 130 mijë lekë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>