Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka kërkuar Komisionerit Publik të ankimojë vendimin e KPK që konfirmoi në detyrë kryeprokuroren e Tiranës Elizabeta Imeraj.
Për të mbështetur pretendimin e saj ONM ka paraqitur prova shtesë para Komisionerit Publik.
Por vetë Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, thotë se aktet shtesë të ONM-së nuk i janë vënë në dispozicion dhe do paraqesë kërkesë për tu njohur me to.
Në një prononcim për Neës 24, Imeraj është shprehur se pret një proces të drejtë ligjor.
Elizabeta Imeraj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 qershor.
Ajo është kryeprokurore e Tiranës nga gushti i 2018. Imeraj ishte një nga prokuroret e përzgjedhura për t’iu bashkuar SPAK por u tërhoq disa ditë më parë nga ky kandidim.
Elisabeta Imeraj ka punuar prej vitesh në prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ishte një prej hetueseve të çështjes së ish-ministrit Tahiri.