Fotot me udhëheqës të rëndësishëm botërorë janë ndër gjërat më të kërkuara nga politikanët tanë. Për politikanin tonë, një foto e tillë është më e rëndësishme se një qind marrëveshje apo projekte investimi, sepse përmes saj ai rreket të dëshmojë se ai është i preferuar, i vlerësuar dhe i mbështetur nga krerët e botës. Domethënë, ai është udhëheqës i kalibrit botëror dhe, përderisa e vlerëson bota, duhet ta vlerësojmë edhe ne—pra, duhet ta votojmë pa e vënë në dyshim.
Shumëkush e mendon kështu vërtet; shumëkush i sheh udhëheqësit tanë—të cilët janë, përgjithësisht, dramatikisht mediokër dhe tragjikisht pa integritet—si koka botërore, si shokë të Merkelit, Obamës apo Trudosë.
Ka nga ata që lehtësisht mendojnë se “dobësia” e botës për udhëheqësin tonë do të shpërblehet me ndihma e financime për popullin tonë.
Kujtoni idiotizmat e hedhura në shtyp, para dy vjetësh, për dobësinë e supozuar të Kancelares Merkel për Kryeministrin Rama—sipas mediave, dobësi dhe vlerësim aq i madh sa kancelarja Merkel kishte vendosur ta bënte Kryeministrin tonë prijës të Ballkanit (kujtoni gazetarin që e pyeti Zonjën Merkel në konferencë shtypi për këtë gjë!).
Aq e rëndësishme u bë teza e dobësisë së Merkelit për Ramën, sa nga takimet dypalëshe apo shumëpalëshe midis tyre raportoheshin vetëm batutat e radhës që udhëheqësi ynë i kishte treguar udhëheqëses gjermane dhe asgjë nga çfarë u diskutua mes tyre.
Edhe pse ndihma gjermane për Shqipërinë nuk ndryshoi—madje nga Nisma Merkel për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria përfitoi më pak nga të gjithë—media jonë vazhdon ende të përcjelle “dashurinë” e madhe të Merkelit për Edin tonë.
Tre vitet e fundit kanë qenë dështim tërësor i politikës së jashtme të qeverisë Rama e dështim edhe më i madh i tërheqjes së invetimeve të huaja, por Zoti Rama ka arritur ta mbajë vëmendjen e opinionit publik tek fotografitë e tij më udhëheqës të huaj dhe intervistat e tij me median e huaj.
Për çdo takim, qoftë edhe më formalin, për çdo shtrëngim duarsh në çdo rrethanë, shkrepen qindra foto, nga çdo kënd i mundshëm, të cilat i furnizohen popullit bashkë me insinuatën apo pretendimin e përmasave botërore të udhëheqësit tonë.
Kujtoni vizitën më të fundit të Kryeministrit në Turqi. Në këtë vizitë nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje, nuk u arrit asgjë, por vizita u përcoll si një sukses i madh përmes dhjetëra fotove të Kryeministrit Rama me Presidentin Erdogan. Fotografët e stërvitur kapën çdo detaj dhe simbolikë sipërfaqësore të mundshme për të treguar sa i afërt është udhëheqësi ynë me atë turk—deri edhe portrete të duarve dhe trupave të tyre pranë njëri-tjetrit si në një dashuri të madhe vëllazërore.
Fati nuk ka qenë i mirë vetëm me fotografitë e kryeministrit tonë me presidentin amerikan. Fotografitë me Presidentin Obama kanë qenë një fiksim dhe një strategji e përhershme e Kryeministrit Rama. Për fotografi me Presidentin Obama ai ka ofruar çdo gjë që ka mundur: para, lobistë, favore shtetërore.
Ka arritur të bëjë katër herë fotografi me të, të cilat ka dashur t’i trumbetojë me të madhe në opinionin publik vendas, por fati e ka lënë në baltë.
Herën e parë, për foton më poshtë, Zoti Rama pagoi 80 mijë dollarë dhe ju desh të shkelte ligjet amerikane. Por ndërsa bëhej gati ta hidhte foton në qarkullim përmes makinës të tij propagandistike, prokurorët amerikanë filluan hetimet për Bilal Shehun, ndërmjetësin për financimin e parave për fushatën e Presidentit Obama.
I vetëdijshëm për rrezikun që mund të kishte shfaqja publike e fotos, aq më tepër që Zoti Rama atëherë nuk kishte asnjë imunitet duke qenë se ishte vetëm kryetar i PS-së, ai zgjodhi ta përdorë atë pa shumë bujë, pa ndonjë rrëfenjë manipulative të opinionit, dhe pa mburrjen që do ishte planifikuar në rrethana të tjera.
Sikur të mos mjaftonte fatkeqësia me hetimin amerikan të fotos, posa ajo u publikua, disa media amerikane (ndoshta të nxitura nga lobistët e qeverisë shqiptare) zbuluan menjëherë që fotoja ishte bërë përkundrejt një pagesë të paligjshme prej 80 mijë dollarë. Ky zbulim u përcoll nga media shqiptare, duke minimizuar kështu ndikimin në opinion të fotos Obama-Rama
Herën e dytë, Zoti Rama bëri një foto me Presidentin Obama në takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Me këtë rast, është traditë që çifti presidencial amerikan jep një darkë për nder të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në mbledhjen e OKB-së. Në fund të darkës, çifti i parë amerikan bën një foto të veçantë me secilin nga çiftet e ftuara ndërsa ata largohen nga darka njëri pas tjetrit.
Kjo foto u tentua të shitej në publik si foto e veçantë, e bërë pas një takimi miqësor të Kryeministrit Rama me Presidentin Obama. Por menjëherë pas publikimit të kësaj foto, disa media botuan foton identike të çiftit Berisha me çiftin Obama, të bërë dy vjet më parë në të njëjtin vend dhe me të njejtin rast. Edhe këtë herë tentativa propagandistike e zotit Rama dështoi pa ngjitur fare.
Fotot formale pas darkës tradicionale që jep çdo vit çifti Obama gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Fotoja e tretë u bë e mundur vetëm pasi Kryeministri Rama pranoi strehimin në Shqipëri të rreth tre mijë muxhahedinëve iranianë që mbaheshin në një kamp amerikan në Irak. Për këtë gjë, Zoti Rama u shpërblye me një takim në Shtëpinë e Bardhë me Zëvendës Presidentin Biden, takim në të cilin ishtë planifikuar të bashkohej për pak minuta edhe Presidenti Obama. Ndodhi edhe më mirë: Presidenti Obama u bashkua pothuajse që në fillim në takim dhe madje e ftoi vetë Kryeministrin Rama (apo ja kërkoi ky i fundit) për të parë Zyrën Ovale, ku u shkrepën disa fotografi.
Fotografitë filluan të botoheshin në mënyrë triumfale në mediat e shumta pro qeveritare, ndërkohë që vetë kryeministri deklaroi në një intervistë nga Uashingtoni se Presidenti Obama e kishte pritur si mik të madh dhe madje mbante mend që i pëlqente basketbolli.
Por, ndërsa makina propagandistike e Kryeministrit filloi menjëherë përpunimin e opinionit për lidhjen e ngushtë dhe vlerësimin e madh të Presidentit Obama dhe qeverisë amerikane për udhëheqësin tonë, të nesërmen e takimit në Tiranë arrestohet Emiljano Shullazi, nën akuzën e kërcënimit të një kandidati për rektor të Universitetit të Tiranës. Arrestimi pushtoi vëmendjen e medias dhe të publikut, ndërkohë që në vend të flitej për lidhjen Obama-Rama, në media u rihodhën akuzat për lidhjen Shullazi-Rama dhe Shullazi-Tahiri. Fati nuk qe përsëri me Kryeministrin Rama.
Fotografia e katërt u bë para katër ditësh në Samitin e Natos në Varshavë ku merrnin pjesë 60 krerë të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s. Duket se në ndonjë moment të lirë të Samitit, Kryeministri Rama ka gjetur mundësinë t’i ofrohet Presidentit Obama dhe të bëjë me të një foto “selfie”.
Kryeministri Rama e postoi foton “selfie” menjëherë në faqen e tij në Facebook me shënimin: Përshëndetje nga Samiti i NATO-s. Domethënia ishte e qartë, ai ishte me Obamën ndërkohë që PD refuzonte reformën në drejtësi sipas draftit amerikan dhe kishte akuzuar në prokurori Kryeministrin për financim të paligjshëm të fushatës së Presidentit.
Ky mesazh i nënkuptuar u shpreh qartë nga media të kontrolluara nga Kryeministri, të cilat komentuan se Presidenti Obama ishte në dijeni të akuzave që po i bëheshin kryeministrit Rama dhe i mendonte ato të pabaza, ndërkohë që ai me foton po i jepte mesazh opozitës që të miratonin reformën në drejtësi që kërkonin Obama me Ramën.
Fatkeqësisht, të nesërmën në Tiranë erdhi Ndihmës Sekretarja e Shtetit Nuland, e cila bashkë me rrëzimin e variantit të Kryeministrit për reformën në drejtësi, rrëzoi edhe fabulën e sajuar prej tij dhe mediave të tij për domethënien e fotografisë Obama-Rama. Si edhe në tre rastet e tjera, vëmendja ndaj fotove Obama-Rama u tret brenda 24 orësh e eklipsuar nga ngjarje më të mëdha.
Me gjasa nuk do të ketë një foto të pestë Obama-Rama gjatë kohës me zotin Obama si president—në nëntor do të zgjidhet presidenti i ri i SHBA-ve që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të janarit 2017.
Por Kryeministri Rama ka filluar që tani përpjekjet për foton e parë me presidenten e re të SHBA-ve, i bindur se do të jetë Hilari Klinton. Ai po sulmon kudo që i jepet mundësia kandidatin Donald Trump, po ngre buste të Hilari Klintonit nëpër Shqipëri, dhe, natyrisht, shpreson shumë tek miku i tij George Soros, i cili është ndër financuesit kryesorë të fushatës Klinton.
Por fati i keq duket se po vazhdon ta përndjekë Zotin Rama: Xhon Podesta, i cili është drejtuesi i fushatës elektorale të Hilari Klintonit, ka qënë dhe vazhdon të mbetet lobisti kryesor i PD-së dhe ish-Kryeministrit Berisha.