Hyrja e një anije luftarake britanike në ato që Moska i konsideron ujërat territoriale ruse, pranë Krimesë muajin e kaluar, është lloji provokimi që kërkon një përgjigje të ashpër, tha Kremlini të dielën.
Presidenti Vladimir Putin tha të mërkurën se Rusia mund ta fundoste luftanijen britanike.
Moska sfidoi të drejtën e destrojerit “HMS Defender” për të kaluar nëpër ujërat pranë Krimesë, diçka që Londra tha se kishte të drejtë të bënte. Rusia aneksoi Krimesë nga Ukraina në 2014 por shumica e vendeve ende e njeh atë si pjesë të Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, duke folur në televizionin shtetëror të dielën, tha se incidenti ishte “një provokim i planifikuar mirë” dhe se reagimi i Putinit e kishte bërë të qartë se çdo përsëritje do të provokonte një përgjigje të ashpër.
Ai i bëri jehonë akuzës së Putinit se Uashingtoni dhe Londra kishin planifikuar episodin së bashku.
Tensionet janë duke u rritur ndërsa Ukraina dhe vendet e NATO-s mbajnë stërvitje ushtarake në Detin e Zi, të monitoruara nga Flota e Detit të Zi të Rusisë.
Peskov tha se NATO ishte një element destabilizues që çoi në konfrontim, por se Rusia mbetet e hapur për dialog me ta.