Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë ku kërkon marrjen e veprimeve ligjore ndaj Hungarisë për të detyruar qeverinë hungareze të tërhiqet nga ligji i ri që ndalon përshkrimin e homoseksualitetit për të rinjtë nën 18 vjeç.
Në rezolutën e miratuar nga PE thuhet se ligji shkel vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian.
PE votoi me 459 vota pro, 147 kundër dhe 58 abstenim, mbi rezolutën ndërsa eurodeputetët theksuan se zhvillimet e fundit në Hungari erdhën pas një modeli të ashpër censure politike.
Rezoluta është jo-detyruese dhe synon të bëjë më shumë presion mbi Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian për t’iu përgjigjur me mjete ligjore një ligji që ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar.
Parlamenti i bëri thirrje Komisionit Evropian që të përdorë një mjet të ri që i lejon BE-së të reduktojë buxhetin për vendet anëtare në rast të cenimit të sundimit të ligjit.
Gjithashtu, PE kërkon veprim kundër qeverisë Orban në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Kryeministri hungarez insiston se politikat e tij janë çështje e brendshme për Hungarinë dhe jo për ata që i quan “burokratët e Brukselit”.