Vrasja e Presidentit të Haitit, Jovenel Moise u krye nga një grup prej 28 personash të huaj sipas policisë vendase, raporton BBC.
Pas një përplasjeje me armë në kryeqytetin Port-au-Prince, 17 prej tyre u arrestuan, tre u vranë nga policia dhe tetë janë ende në kërkim.
Është ende e paqartë se kush e organizoi sulmin dhe me çfarë motivi.
Orët e para të mëngjesit të mërkurës, persona të armatosur hynë në shtëpinë e presidentit në Port-au-Prince, duke vrarë atë duke lënë të plagosur gruan e tij.
Skuadra e mercenarëve përfshinte kryesisht ish-ushtarakë kolumbianë, gjashtë prej të cilëve janë konfirmuar edhe nga qeveria e Kolumbisë e cila është zotuar të ndihmojë Haitin.
Mes autorëve të vrasjes janë konfirmuar edhe dy persona vendas.
Departamenti i shtetit i SHBA, ndërkohë, tha se nuk mund të konfirmonte nëse ndonjë nga shtetasit e arrestuar ishte amerikan.
Në media amerikane dhe kanadeze po raportojnë se një nga shtetasit e arrestuar është nga Florida dhe ishte një ish-truprojë në ambasadën Kanadeze në Haiti.
Vrasja e presidentit ka shkaktuar trazira civile në Haiti, shteti më i varfër në kontinentin e Amerikës.
Rreth 60% e popoullsisë prej 11 milionë banorësh të Haitit jetojnë në varfëri.
Haiti ka qenë prej kohësh i karakterizuar nga paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike, dhe së fundmi nga lufta e grupeve kriminale.
Që prej vitit 2019, presidenti Moise qeveriste me dekret të veçantë pasi zgjedhjet u shtynë. Protesta të mëdha janë zhvilluar që nga ajo kohë ku kërkohej dorëheqja e Moise.