Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi shpërndarjen e mandateve të deputetëve sipas herësit por ka rrëzuar pragun prej 10 mijë votash që parashikohet në Kodin Zgjedhor.
Në vendimin e arsyetuar të publikuar të martën, Gjykata vlerëson se pragu 10 mijë vota cënon të drejtën për tu zgjedhur pasi shkel parimin e proporcionalitetit.
Kushtetuesja e cilëson herësin si balancim të rolit të partisë dhe të zgjedhësve në një proces zgjedhor.
Megjithatë, Gjykata është shprehur se i takon Kuvendit të vendosë pragun e herësit.
Herësi është numri i përftuar nga pjestimi i votave të marra nga një subjekt në një qark me numrin e mandateve që ai ka fituar në atë qark.
Sipas Kodit Zgjedhor, nëse një kandidat për deputet që nuk është pjesë e listës fituese ka marrë më shumë vota se herësi ai automatikisht merr mandat deputeti. Në rast se herësi është më i madh se 10 mijë, kandidatit i mjafton të marrë mbi 10 001 vota për të marrë mandatin.
Në zgjedhjet e 25 prillit ishin katër kandidatë që përmbysën renditjen e vendosur nga partia, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi nga PS dhe Luçiano Boçi nga PD.
Kërkesa për shfuqizimin e nenit që shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit erdhi nga partia Bindja Demokratike dhe “Lëvizja Demokratike Shqiptare”.
Shqyrtimi i kësaj çështjeje erdhi me kërkesë të Partisë “Bindja Demokratike” dhe Partisë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”.
Vendimi i Kushtetueses nuk do të ketë fuqi prapavepruese për mandatet e zgjedhjeve të 25 prillit ndaj ata që arritën të thyenin herësin do të mund të marrin mandatin e deputetit.