Një gjykatë izraelite dënoi të mërkurën një ish-zv.ministre me 10 vjet burg për ryshfet, mashtrim, pastrim parash, shkelje të besimit dhe evazion fiskal. Ajo gjithashtu do të duhet të paguajë një gjobë rreth 274 mijë dollarë.
Faina Kirschenbaum ishte një figurë kryesore në një nga hetimet më të gjera kundër korrupsionit në historinë e Izraelit, i njohur si Dosja 242. Ajo është e dënuara më e fundit nga hetimi i partisë Yisrael Beiteinu.
Yisrael Beiteinu është një parti laike nacionaliste e krahut të djathtë, e popullarizuar në mesin e komunitetit rus të izraelit. Dorëheqja në vitin 2018 e udhëheqësit të saj Avigdor Lieberman nga posti i ministrit të mbrojtjes dhe kështu largimi i partisë nga koalicioni i Likud, nisi krizën e zgjedhjeve të parakohshme që la Izraelin pa qeveri për më shumë se dy vjet, dhe përfundimisht çoi në rrëzimin e Kryeministri Benjamin Netanyahu në qershor.
Kirschenbaum është shpallur fajtore për orkestrimin e një skeme masive ryshfeti, ku ajo u jepte para nga buxheti i qeverisë organizatave në këmbim të favoreve dhe parave. Ajo mori rreth 600 mijë dollarë ryshfet dhe i përdori fondet publike për përfitimet e saj politike dhe për përfitimet personale të familjes së saj.
Hetimi i Dosjes 242 ka dhënë 17 dënime. Dënimi i Kirschenbaum është dhe më i rëndi që ka marrë një anëtar i parlamentit të Izraelit.
Kirschenbaum u zgjodh në parlament në 2009. Ajo ishte një aleate e ngushtë me kryetarin e partisë dhe punoi si drejtoreshë e përgjithshme e partisë. Ajo u zgjodh si zv / ministre e punëve të brendshme në 2013, por kjo periudhë ishte jetëshkurtër. Ajo dha dorëheqjen në 2015 mes akuzave për korrupsion.