Maqedonia e Veriut ka riatdhesuar 23 shtetas të saj nga zonat e konflikteve, Siri dhe Irak.
Sipas një raportimi të Radio Evropa e Lirë, katër prej tyre kanë marrë pjesë në luftime në krah të Shtetit Islamik (ISIS). Ndërkohë, pjesa tjetër përbëhet nga pesë gra dhe 14 fëmijë.
Luftëtarët e ISIS janë transferuar menjëherë në burg, ndërsa gratë dhe fëmijët janë futur në një karantinë 14-ditore.
“Kundër katër luftëtarëve të huaj terroristë, pas provave të siguruar nga Ministria e Brendshme, Byroja e Sigurisë Publike dhe në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, kanë paraqitur padi penale,” citohet një deklaratë e qeverisë maqedonase.
Fillimisht do të hetohet nëse kanë marrë pjesë në luftime krah Shtetit Islamik e më pas do të punohet për integrimin e tyre në shoqëri.
“Të tjerët, nëse dëshmohet se nuk janë përfshirë në veprime që i nënshtrohen përgjegjësisë penale-juridike, do të fillojë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit të tyre në komunitet,” vijon deklarata.
Operacioni u krye me ndihmën e Ambasadës amerikane në Shkup, bazuar në detyrimet e vendit sipas ligjit ndërkombëtar, standardeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në zonat e luftimeve në Siri dhe Irak edhe më parë janë riatdhesuar shtetas të Maqedonisë së Veriut. Në gusht 2018 u kthyen shtatë persona, në shkurt të vitit të kaluar një person dhe në mars u kthyen tri gra.
Në mars të vitit 2019, Gjykata Penale e Shkupit dënoi me 45 vjet burg shtatë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, që kishin marrë pjesë në formacionet paraushtarake të ISIS.
Sipas Ministrisë të Punëve të Brendshme janë rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut që kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, si pjesë e këtyre regjimenteve paraushtarake. Deri tani janë kthyer rreth 100 prej tyre.