Shirat e dendura në shtetin indian të Maharashtrës dhe përmbytjet, rrëshqitjet e tokës dhe aksidentet që i pasuan, shkaktuan të të premten rreth 125 të vdekur.
Dhjetra të tjerë janë ende të bllokuar, ndërsa ekipeve të shpëtimit iu desh të depërtonin mes llumit të trashë dhe mbeturinave të shtunën për të arritur shtëpitë e përmbytura.
Shteti i Maharashtrës u godit nga reshjet më të dendura të katër dekadave të fundit, sipas ekspertëve.
Ato zgjatën disa ditë, por prekën jetën e qindra mijëra personave.
Në Taliye, rreth 180 km (110 milje) në juglindje të kryeqytetit financiar të Indisë, Mumbai, numri i të vdekurve shkoi në 42, pas nxjerrjes së katër trupave të tjerë. Shkak u bënë rrëshqitjet e tokës, që rrafshuan shumicën e shtëpive në fshat, citohet një zyrtar i lartë i qeverisë së Maharashtras.
“Rreth 40 persona janë ende të bllokuar. Mundësia për t’i shpëtuar gjallë është e dobët pasi ata kanë qenë të bllokuar në baltë për më shumë se 36 orë,” shtoi ai.
Qeveria njoftoi se ishin shpëtuar rreth 90 000 njerëz nga zonat e prekura nga përmbytja.
Autoritetet po zhvendosin njerëzit nga zona të tjera që mund të preken, ndërkohë që kanë zbrazur gradualisht digat e tejmbushura të lumenjëve, që rrezikon të përmbytnin zonat përreth.
Moti i ashpër ka goditur disa pjesë të botës javët e fundit, me përmbytje në Kinë dhe Evropën Perëndimore dhe një valë të madhe nxehtësie në Amerikën e Veriut, që ka rritur frikën e ndikimit të ndryshimeve klimatike.